Kush qeverisë në Kosovë, dhe kush bën opozitën?
Mos keni frikë, nuk janë ata që po mendoni 🙂
(Vështrim i Periskopit)
Një ditë pas samitit ‘Open Balkan’ në Shkup nuk bëzanë opozita politike në Kosovë. Nuk i ndihet zëri as shefave të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së. Edhe këta 5-6 rreshtat e sotëm të Lumir Kryetarit ‘se para se të jetë projekt ekonomik është projekt politik… blah, blah’ vetëm sa dëshmojnë për përpjekjen e turpërueshme që mos t’ia prishin qejfin opinionit publik përmes një ‘jo, de – po, de’ tradicionale të LDK-së.
Shkurt, që të gjithë po synojnë që qëndrimet t’i kenë të pëlqyera nga masat – e që në Kosovë e nënkupton një kombinim të mjegullt të ‘qytetarit’ dhe ‘mërgatës’.
Mirëpo, telashja është se partitë politike nuk kanë haber fort as në opinion publik, e as në zanatin e politikëbërjes. Situatat e ndërlikuara si kjo me ‘Open Balkan’ e dëshmojnë këtë. Të jesh për apo kundër saj?
Një këshillë për shefat partiakë në Kosovë: sa për opinion publik, ai gjithnjë do t’i zë besë opsionit më të keq dhe më të thjeshtë. E përkthyer, kjo do të thotë se kosovari i rëndomtë e përjeton ‘Open Balkan’ si iniciativë serbe për ringjallje të Jugosllavisë dhe shtypje të shqiptarëve. Pas kësaj, dihet: luftime, masakra, etj.
Qe, edhe një këshillë antologjike për Memlin, Lumirin et al: politikëbërja nënkupton të kesh vizion dhe qëndrim politik, pavarësisht asaj nëse i pëlqen apo jo opinionit publik. Partitë politike ekzistojnë për të qenë në ballë të opinionit publik, jo në bisht të tij. Frikacaku s’është as për këtë dynja, e as për ahiret. Askush nuk ka thënë se është zanat i lehtë, ky i shefit të partisë.
Kështu si janë punët, tash e sa kohë – minimalisht tash e dy vjet – qëndrimet finale politike për çështje serioze disenjohen gjatë përplasjes së mediave, rrjeteve sociale dhe analistëve politikë. Konkluzat e analistëve dhe komentet nëpër Facebook shndërrohen në pikëpamje të partive dhe, krejt në fund, në qëndrime të qeverisë. Hështja mortore dyditëshe për Samitin e Shkupit vetëm sa e rikonfirmon këtë. Analistat tashmë shpërfaqën qëndrimin e tyre – si zakonisht, gjysma për dhe gjysma kundër – kurse opinioni publik anekënd rrjeteve sociale ishte më unik: ai e vulosi ‘Open Balkan’ si hegjemoni të Vuçiqit dhe tradhëti të Ramës. Kaq e thjeshtë është kjo, ta parafrazojmë këtu një frazë të pëlqyer nga Presidentja.
Qasje e zgjuar kjo e akterëve politikë, do të thoshit, kjo pritja dinake e qëndrimeve mediale e ‘popullore’ dhe pastaj artikulimi konformist i qëndrimit partiak. Ndoshta.
Megjithatë, duhet ta vërejmë se kjo traditë e përçudnuar, e fshehjes prapa fustanit të analistëve televizivë nga frika e opinionit ‘të qytetarit dhe mërgatës’ është shqetësuese: është popullizëm reaktiv dhe konformist – është trajta më qyqare e tij.
Sot, partitë opozitare nuk kanë qëndrim të qartë për asnjë nga sfidat kyçe të vendit. As nuk janë për pjesëmarrje në Dialog, por as nuk janë kundër. Në Dialog, nuk janë as për shkëmbim territorial, as për Zajednicë. Ç’është e vërteta, nuk janë krejtësisht as kundër. Në fakt, nuk e belbëzojnë dot një qëndrim nga frika e kryqëzimit në Facebook dhe në debate televizive. Tutje, nuk janë as për as kundër mini-Schengenit, edhe pse njëzëri janë për treg të përbashkët rajonal dhe lëvizje të lirë.
Shefat e opozitës politike në Kosovë po sillen si qeveria të cilën duan ta rrëzojnë. Në njërën anë i përsërisin mantrat populliste e kryeministrit Kurti – jo Zajednicës, jo shkëmbimit, etj. – e në anën tjetër shpresojnë se Kurti do të rrëzohet për shkak të qëndrimeve refuzuese që ka. Se dikund, në një çast, një Grenell i ri në bashkësinë ndërkombëtare do ta lëshojë një fatwa që do ta shkarkojë atë nga pushteti.
Teorikisht, gjasat nuk janë të vogla që kjo vërtet të ndodhë, marrë parasysh që Kurti nuk duket të ketë krijuar shumë miq në bashkësi ndërkombëtare gjatë këtyre katër muajve qeverisës. Mirëpo, para se të niset një mocion i tillë, duhet të ekzistojë alternativa – duhet të ekzistojë një arsye e qartë për të. Duhet të ekzistojë një opozitë politike që ka qëndrime të kundërta me ato të pushtetit – për të cilat edhe u rrëzua. Përndryshe, pse të zëvendësohet një qeveri refuzuese që ia bën qejfin komentuesve të Facebookut me një tjetër që do të vepronte njëjtë?
A ka qëndrime të tilla, të kundërta, opozita politike karshi kryeneçësisë refuzuese të Kurtit – mes tjerash, karshi Zajednicës, ‘Open Balkan’, madje edhe karshi raporteve me Tiranën dhe Edi Ramën? Qartazi, jo. Frika nga të mos qenit i pëlqyer nga turmat e Facebookut i ka shndërruar tashmë në bisht të opinionit publik. Malli të merr t’i shohësh në ndonjë intervistë njëherë në dy muaj – e edhe kur t’i sheh, nuk dëgjon gjë tjetër pos formulimeve lajkatare të shqiptuara për një grusht pëlqime.
Sa për ‘qeverinë e praktikantëve’, s’ka çka të flitet. Ajo edhe ashtu është e ngjizur nga obsesioni për t’i pëlqyer mediokritetit të rrjeteve sociale. Vendlindja e vërtetë e saj është Facebooku, me gjithë statuset dhe rubrikat e komenteve të militantëve gjysëm-analfabetë. Kësisoj, përderisa Qeveria dhe Facebooku janë Një, opozitën e vetme e zhvillon një grusht analistësh të shpërndarë barabarësisht nëpër televizionet lokale.
Shkurt, del se qeverisja e vërtetë në Kosovë – pra, konstruktimi i bindjeve, vizioneve, qëndrimeve, botëkuptimeve që më vonë shndërrohen në veprime e vendime – zbatohet nga akterë tërësisht jozyrtarë, jopartiakë dhe, shpeshherë, jopolitikë. Prej politikave tatimore, diplomacisë, sigurisë e deri te kritika e patriarkalizmit, që të gjitha së pari diskutohen nëpër debate, komentohen përgjakshëm nëpër rrjete dhe përfundojnë si qëndrime qeveritare.
Edhe nëse ndonjëherë, rastësisht, qeveria guxon të merr ndonjë vendim të pakonsultuar me këtë pushtetin e vërtetë, virtuel e televiziv, shpejtë do të detyrohet të tërheqet nga ai: rasti i tiketës/vinjetës për regjistrim të makinave është shembulli më ngazëllyes në këtë.
Pra, kush qeverisë sot në Kosovë? Komentoni më poshtë 🙂