Kush po nxiton të bëjë “kokën e turkut” Saimirin dhe çfarë po përgatitet nën rrogoz?

Kush po nxiton të bëjë “kokën e turkut” Saimirin dhe çfarë po përgatitet nën rrogoz?

10 fakte per situatën

– Prokuroria kërkon nga parlamenti shqiptar të marrë miratim për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri. Provat sipas saj i ka kjo prokurori. Ok! Pyetja është: A mund të hetohet në gjendje të lirë ky deputet? Pra a kryen dot prokuroria këtë hetim me Saimirin të paarrestuar? Sigurisht që po përderisa deputet nuk e kanë më imunitetin e tyre për hetim nga çdo instancë e hetimit. Ç’është gjithë ky nxitim për ta arrestuar këtë njeri?

– Opozita shqiptare me përfaqësuesit e saj, është kaq e njollosur sa askush nuk mund të marrë seriozisht deklaratat e tyre për “luftë kundër korrupsionit”. Nëse njeri prej atyre që drejtojnë( me deklarata dhe histeri demagogjike) opozitën aktuale, është “i pastër” për ta bërë kauzë pastërtinë nga krimi, unë do i bashkohesha pamëdyshje. Por secilit prej këtyre përfaqësuesve duhet tu ishte bërë me kohë verifikimi i pasurive dhe krimeve që kanë kryer.

– Deri tani në Shqipëri ka funksionuar kështu: Kush ka vjedhur e është pasuruar më shumë me paratë tona, ai është bërë kryeministër e president. Në vend të tyre në burg kanë shkuar “kasnecët” që akoma nuk kanë marrë dënimet nga drejtësia jonë.

– Prokuroria shqiptare deri më sot ka humbur të gjitha çështjet e ngritura me baza politike. Kjo dëshmon ose për paaftësi të sajën ose për lidhje të saj korruptive me krimin politik. Sjell në vëmendje arrestimin e Ardian Fullanti dhe më në fund nxjerrjen e tij të pafajshëm, madje dhe me dëmshpërblim (nuk po përmend 21 janarin apo Gerdecin).

– Nëse pretendojmë se po llon vetingu nga i cili kanë frikë të gjithë unë them: Më në fund Shqipëria do të bëhet! Por realisht ky veting është akoma shumë larg, sepse në se vërtetë do të fillonte duhej të nisej nga verifikimet e atyre akuzave publike që i janë bërë z Llalla për korrupsion dhe korrupsion politik.

– Media është sot në ditën e saj më të zezë; e ndodhur përballë trysnisë së pronarëve për të bërë “publicitetin” sipas lidhjeve me politikën e korruptuar, si dhe përballë paaftësisë së gazetarëve dhe tendencave për të bërë skupin e radhës, media po i hedh benzinë situatës në vend. Aq keq duket situata, se Prokuroria i merr lajmet nga media dhe media nga Faceboku …

– Të gjithë përsërisin frazën: “S’keni parë asgjë akoma” dhe unë dyshoj se nuk do të shohim gjë. Dhe në të ardhmen. Për aq kohë sa gjykatat dhe prokuroria e këtij vendi nuk kanë treguar as profesionalizëm e as përgjegjësi publike, tymnajat do bëhen më të rrezikshme për ne. A nuk u vranë katër të pafajshëm në bulevard? A ju kujtohet shkaku? A ju kujtohet se urdhrin e prokurorisë nuk e llogariti fare ai që drejtonte qeverinë e kohës?

– “Rama e “shiti “ Tahirin. Kjo është kryefjala e mediave dhe e tryezave sot. Unë pyes. Më mirë ta “shesi” apo më mirë ta mbrojë si bëri dikur Berisha me aleatin e vet? Dëshironi t’i keni hajdutët për gjithë jetën në qeverisje? Nëse e dëshironi këtë ok, mund të thoni se Rama e shiti.

– Thashethemnaja mediatike do e shpartallojë keqas mendjen popullore dhe do e paralizojë veprimin social e politik të sajin duke pretenduar se “Do këtë arrestime të tjera” Rama do rrëzohet, do shkoj në burg x apo y. Ndaj të presim e të shikojmë”. Kemi 27 vjet që presim të shikojmë se cdo të ndodhë. Dhe cka ndodhur? Më gjeni një politikan të vetëm që ka qeverisur vendin këto 27 vjet dhe nuk ka siguruar pasuri të krahasueshme me miliarderët e boset e drogave në botë? Çfarë u bë me ta? Kush prej tyre dha llogari apo u arrestua për këtë? Ndaj duke qëndruar ne indiferent ata bëjnë “punën” e tyre qe quhet hajdutër.

– Saimir Tahiri duhet dënuar, nuk e di nëse gjykata do vendosë dënimin e tij më burg ose jo, por jam e bindur se ai ka gabuar! Nëse duhet nisur nga Saimiri pastrimi i politikës shqiptare, ok le të nisë. Por nëse përfundon tek Saimiri, më mirë të mos nisë, sepse zhgënjimi për të njëmijtën herë do të jetë i madh për ë gjithë. Dhe nëse ne harrojmë dhe rreshtohemi si militantë pas njërit ose tjetrit, mirë të na e bëjnë. Dhe për të mbyllur rrethin po i kthehem pikës së parë: Kush po nxiton të bëjë “kokën e turkut” Saimirin dhe çfarë po përgatitet nën rrogoz? Për mendimin tim kjo është një shfaqe vulgare me një skenar të ngritur keqas për të mbuluar prapësitë e mëdha që i janë bërë këtij vendi dhe për të tërhequr vëmendjen nga realiteti ynë. Nëse mendoni se Rama do bjere me çështjen Tahiri, gaboheni serish dhe nuk keni kuptuar asgjë nga mënyra se si kryhet politika te ne. Si zgjidhet? Vetëm nëse do të mendojmë për Shqipërinë dhe jo për Salinë, Ramën, Metën Bashën apo Llallën, Saimirin apo Monikën, vetëm atëherë gjendja do të ndryshojë!

 

 

 

Shpërndaje në: