Kush po luan me Kombëtaren e Kosovës? Bylbyl Sokoli tregon se si duhet t’i marrin vendimet futbollistët
Kush po luan me Kombëtaren e Kosovës?
Ditëve të fundit është rikthyer tema e lojtarëve që po largohen nga kombëtarja e Kosovës, për të shkuar tek kombëtaret tjera, në këtë rast tek Shqipëria.
Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha ishin dy lojtarët e fundit që u larguan nga kombëtarja e Kosovës, për t’iu bashkuar Shqipërisë, me ç’rast pati edhe shumë reagime, shkruan Periskopi.
Por, përveç tyre ishte edhe futbollisti tjetër me prejardhje shqiptare, Ardon Jashari që zgjodhi të luajë për Zvicrën e jo Kosovën.
Të dielën e kaluar, ai mori ftesë nga Murat Yakin për t’i bashkuar Zvicrës për ndeshjet në Ligën e Kombeve, kundër Spanjës më 24 shtator, dhe kundër Republikës së Çekisë pas tri ditësh.
Pse po ndodh kjo, kush e ka fajin – vetë futbollistët, menaxherët apo Federata e Futbollit e Kosovës?
Periskopi ka kontaktuar me njohësin e futbollit në vendin tonë, ish-trajnerin dhe profesorin, Bylbyl Sokoli.
Sokoli fillimisht tha se obligimi Kombëtar i sportistëve është ta prezentojnë vendin apo kombin që i takojnë, por që menaxherët janë ata që ndikojnë te përzgjedhja e tyre.
“Ndoshta i vetmi vend në botë ku futbollistët shqiptarë zgjedhin të luajnë për shumë shtete përpos dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, luajnë edhe për shtete tjera si Maqedonia e Veriut, Zvicra, Suedia, Norvegjia, Gjermania. Kjo tregon (në aspektin politik çeshtjen e pazgjidhur Shqiptare) sa të ndarë jemi”.
“Obligimi Kombëtar i sportistëve është ta prezentojnë vendin apo kombin që i takojnë…që do të thotë ata vendosin në saje të regullave se cilin shtet shqiptarë do ta prezentojnë (Shqiperinë ose Kosovën). Në shumicën e rasteve menaxherët janë ata që vendosin se cilin vend do ta prezenton sportisti i tyre qe e perfaqësojnë. Menxherët kanë interesin e tyre dhe shpesh vendosin qe sportisti i tyre të luajë për shtetin që është më mirë i ranguar në ranglistat e FIFA-s dhe UEFA-s. Dhe shumë shpesh gabojnë dhe sportistit i mohohet e drejta të mbrojë ngjyrnat e kombit që i takon”, tha fillimisht trajneri kosovar.
Ai tutje tha se sportisti duhet të vendos vetë se cilin shtet ta prezantojë dhe se nuk duhet ta prezantojë ndonjë vend tjetër por vetëm në rast se nuk ka zgjidhje tjetër ose s’ka pranuar ftesë nga shteti i tij.
“Sportisti duhet vetë të vendos në kuadër të akteve normative se cilin shtet do ta prezentojë në këtë rast Shqipërinë ose Kosovën. Asesi nuk duhet me mendu me prezentu ndonjë shtet tjetër, vetëm në raste kur nuk është i ftuar nga Shqipëria dhe Kosova. Kështu do të jetë, vazhdoi ai.
E për fund, profesori tha se në rast se bëhemi një Kombëtare të gjitha këto probleme do të zhduken.
“Deri sa jemi të ndarë atëherë (unë besoj së shpejti) kur të kemi një shtet, një kombëtare të gjitha këto probleme do të zhduken dhe ne do të jemi prezent ne çdo eveniment evropian dhe botëror në futbol”, përfundoi Sokoli.
Kujtojmë se Kosova do të luajë dy ndeshjet e fundit të edicionit të sivjetëm të Ligës së Kombeve gjatë këtij muaji, kundër Irlandës së Veriut në Belfast, më 24 shtator dhe kundër Qipros, më 27 shtator, në stadiumin “Fadil Vokrri”./Periskopi/