Kush është Kujtim Shala i AKI-së që po i “përcjellë” hap pas hapi gazetarët, dikur ishte suspenduar nga FSK’ja

Kush është Kujtim Shala i AKI-së që po i “përcjellë” hap pas hapi gazetarët, dikur ishte suspenduar nga FSK’ja

Ditëve të fundit, pas një reagimi nga gazetari Vehbi Kajtazi, janë shtuar diskutimet e dyshimet se agjentë të AKI-së, po i përcjellin disa prej gazetarëve në vend që njihen si kritik ndaj pushtetit.

Fjala ishte për Vehbi Kajtazin, Berat Buzhalën, Ilir Mirenën e Lirim Mehmetajn.

Gazetari Vehbi Kajtazi, një ditë më parë, bëri të ditur se në krye të këtij organizimi sipas informacioneve që ka, është inspektori i AKI-së, Kujtim Shala.

“Zyrtarët i shërbejnë një strukturë paralele brenda AKI-së. Sikur në institucionet e tjera që i shërbejnë Dejona Mihalit e strukturave të VV-së. Në krye të gjithë kësaj qëndron Inspektori, Kujtim Shala. Një ish-zyrtar me ndonjë të kaluar të lavdishme në institucione, përfshirë në FSK, që ka qenë edhe nën masa disiplnore për shkak të shkeljeve që ka bërë në punë. Ka qenë anëtar i bordit të Postës së Kosovës i emëruar nga qeveria Kurti, dhe së fundmi është emëruar Kryeinspektor. Janë të punësuar në kohën e Thaçit, por është një strukturë, luftë një raport me media e gazetarë që ka nisur shumë moti. Por një vit e gjysmë më herët ka qenë e hapur. Ministri i Brendshëm mua dhe Buzhalën na ka quajtur njerëz të Serbisë”, tha ai në Klan Kosova.

Por, kush është Kujtim Shala, inspektori i AKI-së?

Kujtim Shala që tash është inspector në AKI, për vite të tëra kishte qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Më pas, qeveria Kurti e kishte bërë edhe anëtar të Bordit në Postë.

Megjithatë, përvoja e tij në Ushtrinë e vendit nuk ishte krejt pa probleme. Ai ishte suspenduar për arsye disiplinore, dhe ishte dënuar në pagë. Nacionale kishte raportuar për këtë rast muaj më parë.

Madje, për një periudhë gjegjëse ka pranuar vetëm një pjesë të pagës, konform dispozitave ligjore dhe dënimit që e kishte marrë.

Sa ka qenë në FSK, Shala ishte dënuar nga autoritetet, për shkak se kishte pranuar mall të paautorizuar.

Kështu shihet edhe në arsyetimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë.

“1.Z. Kujtim Shala i lindur me 27.03.1980 me nr.letërnjoftimi ********** dhe Adresë të banimit, Barilevë Prishtinë në cilësinë e shërbyesit civil me koeficient të pagës A-3 dhe titull të pozitës Zyrtar i lartë i TI-së në FSK – KFT, pezullohet nga detyra e punës dhe i ndalohet 1/3 e rrogës, për një periudhë dy muaj, pas plotfuqishmërisë së vendimit”, thuhej ndër të tjerash në vendimin respektiv.

Nuk dihet pse krerët më të lartë shtetërorë ia kanë besuar një pozitë kaq të rëndësishme një të dënuari të mëparshëm.

Për t’ua qartësuar lexuesve, kjo pozitë, Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së, është një nga pikat kyçe të sistemit sekret, andaj edhe është parë si “çudi” në vete ky angazhim.

Gjithsesi, mbetet të shihet se cili do të jetë arsyetimi i zyrtarëve për këtë angazhim, ndërsa kujtojmë se Shala edhe më tutje nuk është deklaruar rreth emërimit.

Përgjatë kohës sa ishte anëtar i Bordit në Postë, bashkë me kolegët e tjerë, Shala kishte shkarkuar njerëzit kryesor të ndërmarrjes përfshirë kryeshefin, zyrtarin kryesor financiar, sekretarin dhe auditorin e brendshëm.

Katër zyrtarët e lartë të Postës pas shkarkimit iu drejtuan Gjykatës për ta kundërshtuar vendimin e bordit, ku lënda ndaj tyre akoma është e hapur.

Portali Demokracia ia kishte botuar Kujtim Shalës edhe CV-në.

 

Kujtim Shala ka lindur në Barilevë të Prishtinës dhe është një ekonomist. Ai ka studiuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjegjësisht në Fakultetin Ekonomik, bachelor e master.

Shala në CV-në e tij thotë se anglisht e serbisht vetëm di të lexojë mirë, por jo edhe aq mirë të shkruajë e të flasë.

Para FSK-së, ai kishte punuar në disa kompani private dhe njëra prej tyre ishte edhe Kuvilab SHPK, e cila merret me përpunimin e mishit dhe prodhimin e sallamit e suxhukut.

Po ashtu, ai kishte punuar edhe në PBC dhe Genetics.

Shpërndaje në: