Kush është klubi i ri i Rashicës? Me pronare një kuzhiniere dhe pa gjasa reale për Premier Ligë

Kush është klubi i ri i Rashicës? Me pronare një kuzhiniere dhe pa gjasa reale për Premier Ligë

Milot Rashica është transferuar në Norwich City nga Werder Bremend për 10.5 milionë euro dhe nga do të luajë në Premier Ligë nga gushti i këtij viti. Por, kush është Norwich City?

Norwich City ka një histori shumë të gjatë pasi është themeluar më 17 qershor të vitit 1902, pra 119 vite më parë.

Ata njihen me dy nofka: “Kanarinat” dhe “Të verdhët”.

Vitin e kaluar, nën udhëheqjen e trajnerit gjerman Daniel Farke, ky klub ia doli që të dilte në vend të parë në Championship duke e siguruar biletën për në Premier Ligë.

Sidoqoftë, parvjet ky klub kishte zhgënjyer në Premier Ligë duke mbetur si autsajder.

Ky klub si pronare e ka Delia Ann Smithin, një ish kuzhiniere dhe prezantuese televizive. Për shkak të recetave të saj, besohet që ishin rritur shitjet e vezëve në Britani për 10 për qind.

Këtë klub ajo e pronëson bashkë me burrin e saj, Michael Wynn-Jonesin.

Norwich City ka tifozë të zjarrtë. Rivali kryesor i këtij klubi është Ipswich Town që luan në divizionin e tretë anglez.

Vitet më të arta të këtij klubi ishin gjatë viteve 1992 deri më 1995 në Premier Ligë. Në sezonin e parë të Premier Ligës, 1992-1993, ata befasuan të gjithë duke u bërë konkurues serioz për titullin e kampionit. Atë sezon e përfunduan në vendin e tretë, prapa Manchester United dhe Aston Villas.

 

Menjëherë në sezonin vijues, Norwich City kishte luajtur në Uefa Cup për herë të parë dhe të vetmen, duke humbur në raundin e tretë nga Interi por duke e mposhtur Bayern Munichun.

Viti i ardhshëm pritet të jetë shumë i rëndë për këtë klub që humbi lojtarin kryesor, Emiliano Buendian te Aston Villa, dhe që nuk pritet të ketë gjasa reale për mbijetesë./Periskopi

Shpërndaje në: