Kush është Arben Lamçe i kërkuar nga SPAK-u që u arrestua në Kosovë?
Policia e Kosovës ka arrestuar shqiptarin Arben Lamçen. Arrestimi i tij erdhi pas bashkëpunimit të FAST Kosova me FAST Albania. Lamçe dyshohet për disa vepra penale. Por kush është ai?
Arben Lamçe është një figurë kyçe e kërkuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri, e cila së fundmi nisi një operacion në shkallë të gjerë duke zbuluar shumë aktivitete kriminale dhe individë të përfshirë në krime si në Shqipëri ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.
Lamçe dyshohet se ka marrë pjesë në disa vrasje vitet e fundit në Shqipëri.
Për çka dyshohet?
Policia e Shqipërisë ka dhënë detaje për aksionin ku u arrestuar i dyshuari.
Ky arrestim erdhi në kuadër të operacionit Gordonët që u realizuar nga FAST Albania në bashkëpunim me Fast Kosova.
“FAST Albania kap dhe arreston në Prishtinë shtetasin A. L., në kuadër të operacionit “Gordonët” Në sajë të një pune të mirëfilltë profesionale, sot më datë 04.08.2024, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori pêr Kërkimin, Njësia Fast Albania, në bashkëpunim të ngushtë me FAST Kosova, në vijim të shkëmbimeve të informacioneve, në kuadër të operacionit policor “GORDONËT”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në Prishtinë, i shtetasit A. L., lindur e banues në Elbasan.” – thuhet në njoftimin e policisë.
Të dyshuarit i është caktuar masa e “arrestit me burg” për disa vepra penale.
“Ndaj shtetasit A.L., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë më datë 29.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit, “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e organizatës kriminale”, “Grupi i strukturuar Kriminal”, “Organizata kriminale” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 80-28/1-333 dhe 334-287 të Kodit Penal.” – thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas raportimit të Top Channel, në 31 korrik SPAK lëshoi 31 urdhër arreste për persona të kërkuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë 2.”
Ky urdhër lidhet me 6 vrasje të kryera në Elbasan, Rrogozhinë dhe Berat, të cilat pretendohet se janë zbuluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në kuadër të mega operacionit “Plumbi i Artë 2”, i cili është zhvilluar para 5 ditë në Tiranë, Elbasan e Durrës.
Sipas raportimit “SPAK zbuloi porositjen e disa vrasjeve, pjesëmarrjen e grupit në grabitjen e parave në Rinas dhe skemat nëpërmjet të cilave pastronin para në ndërtim dhe me pikat e këmbimit valutor.”