Kush duhet të jetë përgjigjja për Trumpin

Kush duhet të jetë përgjigjja për Trumpin

Elita liberale amerikane është edhe e tmerruar nga Donald Trumpi, por edhe e paaftë që moralisht ta godas atë. Ajo çka vyen është një kthim kah e majta, të udhëhequr me fytyra të reja.

Tash që një tjetër javë e veprimeve të çmendura të Presidentit Trump është lënë pas nesh, dhe që ngadalë rrëshqet në memorie, ne mund të reflektojmë për atë gjënë kaotike që la pas udhëtimi i tij jashtë vendit.

Presidenti amerikan vizitoi tri vende: Brukselin – ku takoi liderët kryesorë evropianë, Londrën – për të takuar Theresa May-in dhe Mbretëreshën, plus Helsinki – ku mbajti një samit me Vladimir Putinin.

Derisa shumica e komentuesve i mëshuan faktit të çuditshëm që Trumpi ishte më miqësor me armikun e Amerikës se me aleatët tradicionalë, kjo nuk duhet të na befasojë aq shumë. Vëmendja jonë duhet të kthehet në një drejtim tjetër. Siç ndodh zakonisht me Trumpin, reagimet ndaj veprimeve të tij janë më të rëndësishme se ajo që ai në të vërtetë bën apo thotë.

Qëndrime të ndryshme

Le të fillojmë me krahasim e asaj që tha Trumpi se thanë partnerët e tij. Kur Trumpi dhe Mayi u pyetën nga një gazetar se çka mendonin për fluksin e emigrantëve në Evropë, Trumpi brutalisht dhe ndershmërisht tregoi pozicionin e tij populist anti-emigracion: emigrantët janë kërcënim për mënyrën evropiane të jetesës; ata po e destabilizojnë sigurinë e vendeve tona dhe po sjellin dhunë dhe intolerancë. Kështu që, duhet t’i mbajmë jashtë.

Një dëgjues i kujdesshëm lehtë mund ta vërente që Theresa May e tha saktësisht të njëjtën gjë, veç në një mënyrë më diplomatike dhe “të civilizuar”: emigrantët sjellin diversitet, kontribuojnë në mirëqenien tonë, por ne duhet që me kujdes t’i kontrollojmë ata që duam t’i lëmë brenda. Kësisoj, ne marrim një shije të zgjedhjes i cili është gjithnjë e më shumë i vetmi që na prezantohet neve: barbarizmi direkt populist ose një version më i civilizuar i së njëjtës politikë, barbarizmit me fytyrë njerëzore.

Përgjithësisht, reagimet ndaj Trumpit nga gjithandej, përfshirë Republikanët dhe Demokratët në ShBA, përbënë një shok dhe frikë globale. Që ndonjëherë kalonte në panik të plotë. Ne dëgjuam se si Trumpi është i paqëndrueshëm dhe sjell kaos.

Për shembull, së pari ai iu kundërvu Gjermanisë që mbështetej te gazi rus dhe kësisoj bëhej e lëndueshme ndaj armikut të Nato-s, por disa ditë më vonë u shfaq si shumë miqësor me Putinin.

Më pas janë mënyrat e tjera: me takimin me mbretëreshën, ai e shkeli protokollin se si duhet të sillesh në praninë e një monarku! Dhe ai në të vërtetë nuk dëgjoi partnerët e tij demokratik duke qenë në anën tjetër shumë më i hapur ndaj magjepsjes së Putinit, që këto ditë mbahet si armiku më i madh i Amerikës.

Tepër i mirë

E vërtetë, mënyra se si u soll në konferencën për shtyp me Putinin në Helsinki nuk ishte veç një poshtërim i padëgjuar [veç mendojeni – ai nuk u soll si shefi i Putinit!], dhe disa nga deklaratat e tij mund të jenë konsideruar si tradhtare, siç dëgjuam.

Thashethëmet dolën që Trumpi u soll si kukulla e Putinit sepse pala ruse kishte diçka komprometuese për të [fotografitë e famshme të prostitutave duke e urinuar në Moskë?], dhe pjesë të establishmentit amerikan. Demokratët dhe disa republikanë, filluan të konsiderojnë një akuzim të shpejtë, edhe nëse në vend të tij del Mike Pence si president.

Në fund të fundit, konkluzioni ishte thjeshtë që presidenti i ShBA-ve nuk është më lideri i botës së lirë: por a ishte me të vërtetë presidenti i ShBA-ve ndonjëherë lider i tillë? Këtu do të fillojë kundërsulmi ynë.

Le të themi fillimisht që në deklaratat e Trumpit përmbahen disa të vërteta aty-këtu: a nuk kishte në një mënyrë të drejtë kur thoshte që interesi ynë është të kemi marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën për të parandaluar luftën? A nuk ishte pjesërisht korrekt që prezantoi tarifat e tij të luftës si mbrojtje të punëtorëve amerikanë?

Fakti është që rendi ekzistues i tregtisë dhe financave ndërkombëtare është larg të qenit i drejtë, dhe që establishmenti Evropian i lënguar nga masat e Trumpit duhet të shikojë kah mëkatet e veta. A mos kemi harruar tanimë që rregullat ekzistuese të rendit tregtar dhe financiar privilegjojnë shtetet e forta evropiane, veçanërisht Gjermaninë, e cila e solli në shkatërrim Greqinë?

Duhen dy vetë për tango

Sa i përket Putinit, unë personalisht besoj që rusët janë përzier në zgjedhjet e ShBA-ve, por Putini çka u kap së bëri? Thjesht atë që ShBA-të e bëjnë rregullisht dhe pasivisht, përveç se kur kapen së bëri të njëjtën gjë, ata e quajnë mbrojtje të demokracisë? Po pra, Trumpi është një përbindësh dhe kur e përshkroi veten si “gjeni stabil.” ne duhet ta lexojmë të kundërtën e saj – ai është një idiot i paqëndrueshëm që po e shqetëson establishmentin. Por si i tillë, ai është një simptomë, një pasojë e asaj që është gabim me establishmentin në vetvete. Dhe mostra ose përbindëshi i vërtetë është vetë establishmenti i shokuar nga veprimet e Trumpit.

Reagimet e panikut pas veprimeve të fundit të Trumpit demonstrojnë që ai po e destabilizon establishmentin politik të ShBA-ve dhe ideologjinë e saj. Kështu që, konkluzioni ynë duhet të jetë: po, situata është e rrezikshme, ka pasiguri dhe elemente të kaosit në marrëdhëniet ndërkombëtare – por pikërisht në këtë rast duhet të kujtojmë moton e Maos: “Ka një rrëmujë të madhe poshtë qiellit, kështu që situata është e përkryer!”

Të mos i humbin nervat. Në vend të kësaj, ne mund ta shfrytëzojmë konfuzionin duke organizuar një tjetër front anti-establishment nga e majta. Shenjat janë të qarta këtu – fitorja befasuese e Alexandria Ocasio-Cortez, një e vetëquajtur socialdemokrate, kundër Joe Crowleyt ishte, i pari në serinë e tronditjeve që do të transformojnë Demokratët amerikanë. Njerëzit si ajo, jo të njohur, duhet të jenë përgjigjja për Trumpin dhe jo fytyrat e lodhura nga establishmenti liberal.

Shpërndaje në: