Kusari për lajmin shpifës ndaj Periskopit: Raporti është dorëzuar, Krasta të marrë masa ndaj personave përgjegjës për lajmin skandaloz të RTK-së

Kusari për lajmin shpifës ndaj Periskopit: Raporti është dorëzuar, Krasta të marrë masa ndaj personave përgjegjës për lajmin skandaloz të RTK-së

Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka sqaruar gjithë situatën në RTK, lidhur me lajmin skandaloz ku Periskopi dhe Nacionale u etiketuan si media të financuara nga Serbia.

Kusari ka thënë se komisioni tashmë e ka dorëzuar raportin te Adi Krasta, zv/drejtor në RTK.

Kusari ka thënë se Krasta duhet të marrë masa ndaj Rilind Gërvallës si drejtor në TV, Leonora Bërbatovcit si U.D kryeredaktore, dhe Valjet Kosumit, si përgjegjëse e mediave online.

Sipas saj, në të kundërtën, do të ishte zhgënjim i madh për RTK-në.

Postimi i plotë: 

Sqarime ligjore rreth zhvillimeve në RTK

RTK është përballur me nje skandal të madh që përfshin ndikimet politike në përmbajtje editoriale. Pas publikimit të qëllimshëm të informacinit të rremë sipas së cilit dy media në Kosovë janë blerë/bashkëpunojnë me Serbinë, ështe formuar nje komision për të zbuluar a) a ka pasur shkelje të standardeve etike dhe ligjore gjatë publikimit dhe b) kush është përgjegjes. Raporti është finalizuar dhe sipas burimeve të mija i është dorëzuar zëvendes drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës Adi Krasta.

Raporti, shpresoj, do të sqarojë në detaje përgjegjësinë sipas hierarkisë të personave që kanë lejuar propagandën shtetërore në lajmet online dhe ato qëndrore. Nëse raporti nuk identifikon me emër dhe pozita përgjegjësit, ai raport nuk duhet të gëzojë kredibilitet dhe puna e komisionit duhet të konsiderohet humbje kohe apo politikisht blerje e kohe me shpresën që harrohet ky skandal. Sidoqoftë, të presim raportin.

Zv. drejtori Krasta aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së dhe ka mbi supe gjithë menaxhimin e RTK-së. Ai do të ishte bashkëpergjegjes edhe sikur të kishte drejtor gjeneral sepse ligji e thotë kështu. Nuk ka fare rëndësi nëse bordi e ka bërë ushtrues detyre përmes ndonjë vendimi apo nëse ai ka qejf t’i ketë këto kompetenca. Ligji i RTK-së e obligon atë të kryejë këto funksione me ose pa dëshirën apo vullnetin e tij. (neni 34.1)

Rrjedhimisht, zv. drejtori Krasta gjendet para një situate që do të determinojë profesionalizmin dhe integritetin e tij në Kosovë. Ai obligohet ligjerisht që raportin ta dërgojë në bord bashkë më rekomandime për zgjidhjen e këtij skandali.

Pavarësisht se cfarë mund të thotë raporti (pra nëse raporti është i dobët, jo kredibil dhe jo professional), zv. drejtori ka të drejtë dhe unë do të argumentoja obligim që bazuar në të gjitha faktet që janë para tij dhe informacionet që ai posedon duke punuar në RTK tashmë me vite, të rekomandojë masa rigoroze ndaj atyre që lejuan shtrirjen e dorës së pushtetit në lajmet online dhe në ato qëndrore. Faktet I ka e gjitha Kosova prandaj i ka edhe zv. drejtori Krasta, ai vetëm duhet t’i përdorë ato. Dihet botërisht që personat përgjegjës janë: drejtori i televizionit, u.d kryeredaktorja dhe përgjegjsja për media online. Zv. drejtori nuk ka si t’i ikë këtij fakti apo përgjegjësisë së tij për të marrë masa.

Unë Krasten e njoh profesionalisht. E njoh sepse ai më ka intervistuar disa herë rreth punës për dokumentimin e përkeqësimit të lirisë së medias në Shqipëri si rezultat i qeverisjes së Partisë Socialiste. Bashkë me Krastën kemi bashkuar forcat për të kundërshtuar shtypjen e mediave në Shqipëri dhe këtë mision do ta vazhdojmë në Shqipëri.

Ajo çfarë po ndodhë në Kosovë është saktësisht ajo se çfarë ka ndodhur në Shqipëri: kapje dhe ngulfatje politike e transmetusit publik, sulme të vazhdueshme ndaj mediave dhe dehumanizim i gazetarëve dhe aktivistëve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Krasta – sidomos duke qenë në pozitë të favorshme – duhet të përdorë të njëjtat standarde që i përdorë në Shqipëri – të kundërshtojë fuqishëm kapjen e transmetuesit publik dhe sulmet e këtij pushteti ndaj mediave. Nëse ai nuk rekomandon masa dhe rri i heshtur duke e pasur këtë përgjegjësi, do të zhgënjehem tej mase.

Sdq zhgënjimi nuk do të ishte risi në raport me RTK-në.

Shpërndaje në: