Kusari-Lila pranon se e quajti Simiqin ‘vëlla’: Në serbisht kjo ka kuptimin e mikut

Kusari-Lila pranon se e quajti Simiqin ‘vëlla’: Në serbisht kjo ka kuptimin e mikut

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka arsyetuar fjalën “brate (vëlla)” të përdorur në mesazhet e saj, të publikuara në media, me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

Në “Konfront” të KTV-së, Kusari-Lila ka thënë se kjo fjalë në serbisht e ka kuptimin e mikut.

Ajo tutje ka thënë se e ka përmendur këtë fjalë në kuptimin e bisedës së lirë, ashtu siç thotë se e përdorë me deputetët e tjerë.

“Për të gjithë që e flasin gjuhën serbe ose malazeze e dinë kuptimin e fjalës ‘brate’ që nuk do të thotë fjalë e vëllait në veçanti, por fjalë e mikut. Në mënyrën se si përdoret si sinonim i bisedës së lirë, në kuptimin e tillë. Se sikur të ishte vëlla, sikur të ishte ai bashkëpunim ashtu siç po mundohet të aludohet, ai bashkëpunim do të vazhdonte. Gjuha është një komunikim me të cilën unë sot do ta kem një komunikim me cilindo deputet në përgjithësi, si nga pozita si nga opozita, pasi unë komunikoj lirshëm me të gjithë. Në gjuhën serbe dhe malazeze, në të dyja përdoret dhe kjo ka qenë në atë rrjedhë të diskursit të komunikimit. Unë nuk e flas gjuhën shumë mirë, kuptohem mirë. E kam mësuar që në fëmijëri ku jam rritur në Pejë, e kam rifreskuar në masë të madhe kur jam bërë zëdhënëse e Qeverisë në vitin 2003-2004 për shkak të shumë rrethanave”, ka thënë ajo.

 

Shpërndaje në: