Kusari-Lila: Masa e vendosur për ndalimin e importit të produkteve serbe ka të bëjë me sigurinë kombëtare
I dërguari gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me kërkesa për përjashtim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe masa të tjera ndëshkuese, nëse vazhdon të mbajë ndalimin e importit të produkteve serbe.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka thënë se masa e vendosur ndaj Serbisë, ka të bëjë me sigurinë kombëtare.
“Janë dy procese në të cilat Kosova është në agjendën e forumeve rajonale, e para është e CEFTA-s. Pas kidnapimit të tre policëve nga ana e Serbisë, Kosova ka vendosur bllokimin e produkteve nga Serbia. Kërkesa e Gjermanisë e prezantuar përmes Sarrazinit ka të bëjë me heqjen e kësaj mase ndaj Serbisë në shkëmbim me vendosjen e emrit të Kosovës në marrëveshjen e CEFTA-s… Në procesin e Berlinit, Kosova ka qenë palë jo vetëm konstruktive por ka insistuar që të jetë platforma e vetme e bashkëpunimit rajonal për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Aty jemi të përfaqësuar si shtet pa asnjë dallim, d.m.th Kosova me 5 shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe vazhdojmë të mbetemi pjesëmarrës aktiv”, ka thënë Kusari-Lila.
Kusari-Lila tha se është vendosur gjithashtu edhe miratimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Janë tri marrëveshje ndërkombëtare, 28 pika për shqyrtim ”, u shpreh ajo.
“Nuk ka hapësirë të mjaftueshme që të përmbyllet puna e një komisioni hetimor”, tha ajo.