Kurti thotë se do të përkrahin mbi 6 mijë familje për ta rritur efiçiencën energjike

Kurti thotë se do të përkrahin mbi 6 mijë familje për ta rritur efiçiencën energjike

Ministria e Ekonomisë dhe Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë do të hapin thirrje për subvencione direkte për të ndihmuar familjet që të investojnë në ngritje të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e banesat e tyre.

Kjo u bë e ditur përmes një video në Facebook nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se përmes këtyre masave synojnë t’i përkrahin 1 mijë e 300 familje për të bërë investime të cilat sipas tij, e rrisin efiçiencën energjike.

“Përmes këtyre masave, synojmë t’i përkrahim 1 mijë e 300 familje për të bërë investime të cilat rrisin efiçiencën energjike të shtëpive sikurse izolimi ose ndërrimi i dritareve; dhe 5 mijë familje për të blerë pajisje efiçiente për ngrohje si: kalda e stufa me biomasë, kondicionerë efiçientë e pompa termike”.

“Kështu po angazhohemi që ju qytetarë të keni sa më pak shpenzime për energji e të mbani shtëpinë tuaja të ngrohta gjatë dimrit e të freskëta gjatë verës”, tha Kurti.

Po ashtu, Kurti tha se këto thirrje do t’i hapin përmes platformës E-Kosova.

 

 

Shpërndaje në: