Kurti nesër takohet me Mickoskin, vazhdon heshtjen për poshtërimin e presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit

Kurti nesër takohet me Mickoskin, vazhdon heshtjen për poshtërimin e presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do ta vizitojë zyrtarisht Maqedoninë e Veriut, pak ditë pasi në aeroportin e këtij shteti i poshtërua presidentja Vjosa Osmani. 

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka konfirmuar se Kurti do të takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet”, u shpreh Kryeziu.

Tutje, ai shtoi se realizimi i kësaj vizite është dakorduar më 20 korrik.

Kurti këtë vizitë po e realizon në kohën kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë acaruar pas incidentit në të cilën u përfshi presidentja Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.

Në lidhje me këtë, Kosova dërgoi notë proteste diplomatike ndaj Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Kurti ende nuk ka reaguar për këtë incident, duke konfirmuar kështu krisjen e raporteve me presidenten Osmani.

Çka ndodhi në aeroportin e Shkupit? 

Përgjatë kontrollit kufitar në Aeroportin e Shkupit (Maqedonia e Veriut), Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i ndodhi një rast i pazakontë që përfundoi me një incident mes palës kosovare dhe asaj maqedonase. Edhe pse rrethanat e plota ende janë të paqarta, rasti po cilësohet si një skandal dhe shkelje e imunitetit diplomatik.

Gjithçka besohet që ndodhi për shkak të telefonit të presidentes Osmani, edhe pse autoritetet e dy vendeve dhanë qëndrime të kundërta me njëra-tjetrën me lidhje me këtë çështje.

Rrëfimi i stafit të afërt të presidentes thotë se sigurimi i aeroportit ka tentuar ta shtyjë fizikisht presidenten Vjosa Osmani.

Përveç saj, thonë se duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, personeli i aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani dhe çantën personale të dorës. Më pas për të hapur rrugën kishte reaguar Policia./demokracia

Shpërndaje në: