Kurti takohet me ambasadorin turk, diskutojnë për zhvillimet e fundit në vend

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u takua sot me Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, me të cilin bëhet e ditur se diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet e fundit në vend, e në mesin e temave ishin mbarëvajtja e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe përmbyllja e procesit zgjedhor.
Në kumtesën për media nga kryeministria theksohet se Kurti falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin dhe rolin e tij në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në fusha të ndryshme e me interes të përbashkët.
“Gjatë bisedës, kryeministri gjithashtu theksoi takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, me të cilin kishin diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral Kosovë-Turqi, veçanërisht në fushën e mbrojtjes”, thuhet tutje në njoftim.