Kurti shkruan për masakrën e 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës – S’e përmend Oliver Ivanoviqin që dikur e quajti “hero”
Sot janë bërë 25 vjet nga masakra e natës së 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës ku u vranë 10 qytetarë shqiptarë përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.
Kryeministri Kurti përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar për këtë përvjetor të kësaj ngjarje tragjike, megjithatë ‘harron’ se ndër akterët kryesorë që shkaktuan këtë ishte personi që para disa vitesh e quajti ‘hero’ (Oliver Ivanoviq).
KMLDNJ pati thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.
Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.
Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr MPB e Serbisë, në krye ish-komandantin Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviq dhe të tjerë.
Postimi i kryeministrit Kurti:
Në këtë përvjetor të 25-të të ngjarjeve tragjike të natës mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, përkujtojmë viktimat e asaj nate të tmerrit.
Në atë sulm të koordinuar nga grupe të armatosura të Serbisë, u vranë 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, dhe u plagosën 25 të tjerë. U dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.664 familje shqiptare, rreth 12.000 qytetarë të Mitrovicës.
Pas një çerek shekulli, disa prej të dëbuarve po kthehen në shtëpitë e tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të sigurojë që të gjithë ata që dëshirojnë, të kthehen në mënyrë të sigurt dhe në shtëpitë e tyre të rindërtuara.
Por shumë ende nuk janë kthyer, ndërsa autorët e këtyre krimeve të rënda nuk janë përballur ende me drejtësinë.
Me letrën e drejtuar përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, znj.Kaja Kallas, kërkojmë hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre krimeve.
Drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre është detyrim moral dhe hap i domosdoshëm drejt paqes së qëndrueshme në Republikën e Kosovës dhe rajonin tonë.