Kurti përkujton “Abenë”, Shalën, Zherkën e Vulën: Luftëtarë të paepur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula më 26 vjetorin e rënies së tyre.
PPërmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka thënë se këta katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë duke luftuar me forcat serbe në zonën e Junikut.
Ai tutje ka thënë se ishin luftëtarë të paepur që me aktivitetin dhe luftën e tyre, u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së.
Postimi i plotë:
Sot në 26 vjetorin e rënies së tyre, i kujtojmë dëshmorët e lirisë së Kosovës: Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula.
Më 10 gusht të vitit 1998, këta katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë duke luftuar me forcat serbe në zonën e Junikut. Duke u vrarë në muajt e parë të luftës në Kosovë, Bekimi, Bedriu, Eltoni dhe Përmeti ishin luftëtarë të paepur që me aktivitetin dhe luftën e tyre, u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së.
I lindur më 1966 në Graboc të Pejës, Bekim Berisha është luftëtari më i kulluar i luftës kundër regjimit gjenocidal të Serbisë, si luftëtar i tri luftërave në Jugosllavi: fillimisht në Kroaci, pastaj në Bosnje e Hercegovinë dhe së fundi në vendlindjen dhe atdheun e tij në Kosovë. Me një përvojë jetësore të jashtëzakonshme dhe me njohuri të gjera e të provuara ushtarake, Bekim Berisha – Abeja, ishte një nga luftëtarët më të fuqishëm dhe kreativ mes luftëtarëve të UÇK-së. Më 10 gusht 1998, ai u vra në luftime me forcat serbe bashkë me Bedri Shalën, një djalë trim 29 vjeçar nga Gjurgjica e Drenicës. Ashtu siç kishin luftuar bashkë edhe në Jasiq dy javë më parë më 26 korrik, Bedri Shala dhe Bekim Berisha luftuan edhe në mbrojtje të Junikut, duke rënë dëshmorë të kombit në të njëjtën betejë, më 10 gusht 1998.
Djalë nga Gjakova, i lindur më 1977, Elton Zherka u përjetësua mes dëshmorëve të lirisë, nëntë ditë para se të bëhej 21 vjeçar. Sportist i dalluar i arteve dhe sporteve marciale, Eltoni ishte mobilizuar në UÇK bashkë me dymbëdhjetë vullnetarë të tjerë, më 18 prill 1998. Mes tyre ishte edhe Përmet Vula po nga Gjakova, që sapo ishte bërë 20 vjeçar kur e veshi uniformën e UÇK-së. I përgatitur fizikisht nga aktiviteti i tij si peshëngrtiës dhe futbollist, bashkë me Eltonin u rreshtuan në njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit dhe luftuan bashkë për liri deri në vdekje.
Lavdi Bekim Berishës – Abejës, Bedri Shalës, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!