Kurti për ardhjen e Kasanofit në Kosovë: Të durojmë 24 orë që të shohim çka mund të presim nga ai
Ndihmës Sekretari i ri i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, nesër do të vijë në Kosovë, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se duhet pritur deri në atë moment që të dihet se “çfarë do të mund të presim prej tij”.
Kryeministri Kurti u pyet në një konferencë për media për vizitën e Kasanof dhe se a mund të presë prej diplomatit amerikan “konfirmim shtesë sa i përket dialogut që pritet të zhvillohet këtë vjeshtë”.
“Do ta mirëpresim zyrtarin e lartë të State Departmentit amerikan nesër këtu në Prishtinë. Do të zhvillojmë takim me të. Dhe, ju e dini që ai është në vend të ish-zyrtarit të lartë i cili ka qenë shumë herë në Kosovë, zotit Gabriel Escobar dhe tash edhe me Alexander Kasanof besoj që do ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë”.
“Se çfarë do të mund të presim prej tij, besoj që duhet të kemi një durim prej 24 orësh”, theksoi kryeministri.
Diplomati amerikan do ta vizitojë për herë të parë Kosovën, ndërsa me Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani është takuar në fund të shtatorit në margjina të samiteve të zhvilluara në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.