Kurti pa aktivitete nga e premtja, nuk dihet a është kthyer nga Brukseli?
Kryeministri Albin Kurti të enjten ka njoftuar se ka udhëtuar për në Bruksel për të marrë pjesë në drekën e punës me liderë të Ballkanit Perëndimor, të thirrur nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Pas drekës së Von der Leyen, Kurti ishte në Qendrën Europiane për Politika (EPC), për të marrë pjesë në një diskutim me titull “Kosova dhe BE-ja: Dinamikat dhe perspektiva aktuale”.
Aty foli për rritjen ekonomike që tha se po e përjeton vendi, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit e sundimin e ligjit.
Integrimin europian e theksoi si “objektiv parësor”, ndërsa tha se “ka ardhur koha që edhe BE-ja të bëjë hapa konkretë dhe të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me rrugën evropiane të Kosovës”, duke kërkuar dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim.
Të nesërmen pati një takim me drejtorin e përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman, me të cilin u tha se diskutoi “aspektet e shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual evropian”.
Nga atje u lajmërua deri të premten, ndërsa më pas s’u bë i ditur ndonjë aktivitet tjetër i kryeministrit. Të shtunën Kurti shpërndau një postim të Ministrit Hekuran Murati që fliste “për rritje ekonomike”
Nuk dihet nëse Kurti është kthyer në vend apo po qëndron ende në Bruksel.