Kurti: Organizimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë do të shënojë moment historik për zhvillimin e sportit

Kurti: Organizimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë do të shënojë moment historik për zhvillimin e sportit

Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mund të organizohen në Kosovë.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e ka shpallur kandidaturën e organizimit të kësaj gare prestigjioze pas shtatë vjetësh nga tash.

Afati i fundit për aplikim për Lojërat Mesdhetare për vitet 2027 dhe 2030 skadoi më 31 mars dhe me këtë rast, Portugalia kandidoi për Lojërat Mesdhetare në Plazh të vitit 2027, kurse Kosova tri vjet më pas.

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) bëri të ditur se KOK-u duhet të dorëzojë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të organizojë ndërkohë vizita inspektuese në Kosovë.

Lidhur me këtë, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, mbajti një konferencë të përbashkët me kryeministrin, Albin Kurti.

Mes tjerash, Kurti bëri të ditur se është arritur marrëveshja me Shqipërinë që ky eveniment sportiv të zhvillohet edhe në bregdetin shqiptar, për sportet që kërkojnë qasje në det.

Kryeministri kosovar gjithashtu tha se organizimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë do të shënojë moment historik.

“Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë do të shënojë moment historik të zhvillimit të sportit vendor e jo vetëm, konsideruar se Lojërat Mesdhetare të vetmet e organizuar në Ballkan janë ato të vitit 1979 në Split të Kroacisë. Lojërat 2030 shënojnë edicionin e 21-të të ngjarjes multisportive që bën bashkë sportistë e qytetarë të 26 shteteve, të tri kontinenteve që preken nga ujërat e Detit Mesdhe. Përkundër që Kosova është e rrethuar me dhe e male, për të gjitha sportet që kërkojnë qasje në det ne jemi pajtuar me Shqipërinë që do të organizohen në bregdet shqiptar. Qeveria e Kosovës ka identifikuar qartë vizionin për zhvillim të sportit në vendin tonë. Ashtu siç e kam thënë më herët, sporti e aktiviteti fizik janë prioriteti ynë shtetëror. Koncepti i organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë parasheh shtrirjen e organizimit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë 7 komunat më të mëdha në vend. Përmes këtij koncepti do të sigurojmë trashëgimi të qëndrueshme të këtij investimi dhe njëkohësisht ndikimi do të ndjehet në çdo cep të vendit tonë”, tha Kurti.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku, për mbështetjen që të kandidohet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Shpërndaje në: