Kurti nuk e shpëtoi Krishtlindjen, a do t’ia dalë ta shpëtojë Bajramin?
Urimi i kryeministrit Kurti për festën e Krishtilindjes, dukej si mos më keq. Shumë njerëz, mund të mos e kenë lexuar fare urimin e tij – ashtu siç kam bërë unë – shkaku i fotografisë depresive që Kurti ia kishte bashkëngjitur urimit: një pamje e zbehtë nga zyra ose korridori i zyrës së tij, ku bredhi i Krishtlindjes dukej pa drita të ndezura në të, dhe veç dy drita të lodhta neoni që dukeshin ndezur lart.
Mesazhi i kryeministrit mund të ketë qenë pa të keq, sikur ai të mos ishte nga dikush që është kryeministër, por sikur të vinte nga xhaxhai im, për shembull. Se si mund të shmangej ose a mund të shmangej kriza, është debat në vete (dhe jo pak i gjatë), por i bashkohem radhëve të njerëzve që thonë se Qeveria është për të bërë zgjidhje, e jo për të denoncuar problemet e aq më pak për t’i vajtuar ato.
Ndoshta vitin e kaluar, në Britaninë e Madhe, kishte nisur një thirrje ndaj kryeministrit britanik, me moton ‘Shpëtoni Krishtlindjen’. Thirrja ishte që të bëhej më shumë rreth menaxhimit të pandemisë (dhe probleme të tjera) në mënyrë që festën e Krishtlindjes mos ta zinte virusi (dhe problemet e tjera).
Qeveria jonë (Kurti), nuk bëri asgjë për ta shpëtuar Krishtlindjen. Festa e zuri Kosovën nën reduktimet e energjisë si askund tjetër në botë.
Në një përmbledhje të punëve të mira që Kurti i sheh që janë bërë, në prag të Krishtlindjes, ai kishte mbledhur copëza lajmesh, komunikatash për media e konferencash të ministrave të tij dhe vet atij (Kurtit). Edhe kjo video mund t’ju ketë ikur qindra njerëzve pa e parë, shkaku i reduktimeve të energjisë. Pra punët e ministrave të tij, ku Kurti nuk sheh terr po veç dritë, i përndritë në atë video.
Qeveria do të përballet me protestë për këtë çështje. Sepse njerëzit duan të dinë përgjigjen në një pyetje: Pse nuk bëri ose çfarë nuk bëri si dhe sa duhej Qeveria që të kishim rrymë?
Qeveria veç na tregoi se si ta kursejmë atë, me humorin që tingëllonte pak i zi për joystickët, na tha se si me njërën dorë ta kyçim një dritë e paralel me dorën tjetër ta shkyçim një tjetër: u tall me neve. Thuase na i paguante vet Qeveria faturat e rrymës. Na mësonin se si të sillemi me energjinë, si të rriturit qysh mësojnë fëmijën. Veç sa s’na thanë mos e prekni vend e pa vend, se edhe mund t’iu mbysë. Ajo forja e vjetër: Mos luaj me rrymë!
Bredhi i Krishtlindjes së Kurtit dukej sikur i mundur në ndonjë betejë. Se ku ka diçka që është e destinuar të shëndris dhe ti detyrohesh t’ia ndalësh dritën dhe me të të përçosh një mesazh: kurseni rrymën se s’ka. Mesazh komik sikur të vinte nga xhaxhai im – që s’ka një post publik – por tragjik kur jepet nga kryeministri. Dhe kështu, Kurti nuk e shpëtoi Krishtlindjen. E la në terr.
Festa e Bajramit nuk është ku me ditë sa afër por as larg. Nuk dihet nëse Kurti do të arrijë ta shpëtojë Bajramin. Rrymë mund të ketë pak më mirë ndoshta. Por çmimet e produkteve ushqimore vazhdojnë të mbesin për hava. Deri në Bajram, na pret një ramazan i gjatë social, politik e ekonomik.
Sindikatat, dialogu/ Asociacioni, çmimet, energjia. A do t’ia dalë Kurti ta ‘shpëtojë’ Bajramin. Ose, a do t’ia dalë ta shpëtojë veten Kurti politikisht deri në këtë Bajram?