Kurti nesër në Maqedoni të Veriut nën zhurmën e dy “incidenteve”
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se të hënën ai do të jetë në vizitë zyrtare në Maqedoni të Veriut, me ç’rast do të takohet me kryeministrin maqedonas, Hristjan Mickoski. Ky takim do të zhvillohet nën zhurmën e dy “incidenteve” që ndodhën brenda një kohe të shkurtër, ndërmjet të dyja vendeve: arrestimi i një ish-ushtari të UÇK-së e incidenti me Vjosa Osmanin në aeroportin e Shkupit.
Zyra e Kryeministrit ka ka konfirmuar se Kurti pritet ta takoj të parin e qeverisë maqedonase, këtë të hënë. “Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik” – u tha nga zyra e kryeministrit.
Ndonëse në konfirmimin e qeverisë thuhet se ky takim u dakordua qysh nga data 20 korrik, para kësaj date e pas kësaj kanë ndodhur dy incidente, që zor se do të kalojnë pa u përmendur.
Incidenti me presidenten Osmani
Presidentes së Kosovës i ngjau një incident jo fort i zakont në Aeroportin e Shkupit. Siç ka bërë të ditur Presidenca, situata u përshkallëzua kur sigurimi i aeroportit tentoi t’ia merrte telefonin personal Presidentes Osmani dhe t’i merrte me forcë çantën. Në një moment sigurimi i Aeroportit ka tentuar ta shtyjë fizikisht Osmanin.
“Duke mos i respektuar rregullat, sipas Presidences së Kosovës, pala maqedonase e kishte marrë çantën personale të dorës së presidentes Osmani. Por, dorëzimi i telefonit personal nuk është pranuar nga ajo. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike.” – thuhej ndër të tjera në reagimin e Presidencës së Kosovës.
Më tej, në një reagim tjetër, Presidenca e Kosovës ka fajësuar edhe ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë Veriore, duke thënë se u dha urdhëri nga ta.
“Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontrollë të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike.” – thuhet në reagim.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në anën tjetër, i ka dërguar Maqedonisë së Veriut notë proteste për këtë incident.
Për këtë incident ka pasur reagime të shumta, por të paktën deri tani, pala maqedonëse, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk është tërhequr nga veprimi i punonjësve të aeroportit, çka ngjalli kundër reagim të Presidencës së Kosovës.
Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së
Blerim Ramadani, ish-ushtar i UÇK-së u arrestua derisa po hynte në Maqedoninë e Veriut. Ramadani u arrestua pasi ishte future në listën e INTERPOL-it me kërkesë të Serbisë. Rmadanit madje iu caktua edhe masa e paraburgimit, por që aktualisht ëshë liruar me kusht. Ndërkohë Serbia po ia kërkon Ramadanin Maqedonisë së Veriut për ta ekstraduar. Ramadani nuk është i pari që arrestohet pasi Serbia përmes INTERPOL-it lëshon urdhër-arreste për ish-ushtar të UÇK-së.
Deri më tani shtetet mike të Kosovës edhe kur “incidenti” i arrestimit të figurave të UÇK-së ka ndodhur, gjithmonë ata janë liruar dhe s’janë ekstraduar për Serbi.
Nuk dihet nëse Kurti dhe Kryministri i ri maqedonas, do të flasin edhe publikisht për këto dy “incidente” që ndodhën ndërmjet të dyja vendeve.