Kurti në Bruksel s’e akuzon Serbinë si në Prishtinë për sulmin në Ibër-Lepenc, Kallas përmend një gatishmëri të tij dhe Vuçiqit për bashkëpunim
Sulm të orkestruar nga Serbia e quajti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpërthimin e 29 nëntorit në veri të vendit. Pasi udhëtoi të mërkurën në Bruksel për t’u takuar me udhëheqësit e rinj të BE-së, nuk e përsëriti aq qartë këtë akuzë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u shfajësua në një konferencë për media para se të shkonte edhe vetë atje. Pasi i takoi të dy, kryediplomatja e re e BE-së, Kaja Kallas, përmendi një gatishmëri të tyre për të “bashkëpunuar plotësisht” pas këtij sulmi, të cilën tha se e mirëpriti.
Pasi një shpërthim në fshatin Varagë të Zubin Potokut të premtën në darkë e dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohet me ujë nga liqeni i Ujmanit një pjesë e vendit dhe Korporata Energjetike e Kosovës, kryeministri Albin Kurti u shfaq në mesnatë në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
E akuzoi Serbinë për këtë “sulm kriminal dhe terrorist” që tha se ka synuar dëmtimin e infrastrukturës “mbase më të rëndësishme” të vendit.
Sulmi, që u tha se ka mundur ta rrezikojë furnizimin e një pjese të madhe të vendit me ujë dhe energji elektrike, Kurti deklaroi se “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesim dhe aftësi për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla”.
Pak ditë më pas, kryeministri udhëtoi për në Bruksel për t’u takuar me udhëheqësit e rinj të Bashkimit Europian.
Kurti nuk e përmendi Serbinë në kryeqendrën europiane të mërkurën, pas takimit me shefen e re të diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
“Natyrisht që diskutuam edhe për sulmin e fundit që na u bë në Kosovë, eksplodimi i kanalit Ibër-Lepenc në Zubin Potok të Kosovës. Me këtë rast u rrezikua që më shumë se gjysma e popullsisë së vendit tonë, pra nën sulm ka qenë popullsia civile, të ngelet edhe pa ujë, edhe pa energji elektrike”, tha ai para gazetarëve, pa e akuzuar specifikisht fqinjin verior për këtë.
Aty foli edhe për marrëveshjen bazike me Serbinë, të cilën e konsideroi “të arritur të rëndësishme”. Beogradin, e akuzoi se po e shkel atë.
Akuzën se Serbia qëndron prapa sulmit në kanalin e ujit nuk e përmendi as në Facebook e as në X, ku shkroi pas takimit me Kallas.
Kurti tregoi se me diplomaten estonze kishin folur edhe për këtë sulm, ndërsa kishte kërkuar që Milan Radoiçiqi, njeriu që mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, t’i dorëzohet autoriteteve të Kosovës.
“Për të pasur bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, kërcënimet e sigurisë duhet të përfundojnë dhe terroristi kryesor pas sulmit në Banjskë, së bashku me grupin e tij paramilitar, duhet t’i dorëzohen Kosovës për ndjekje penale”, shkroi ai në X.
Në Facebook, s’përmendi që kishin diskutuar për këtë sulm, por shkroi se mezi po pret të punojë bashkë me Kallas.
“Për sa i përket sigurisë, ai tha se Republika e Kosovës ka menaxhuar me sukses sfidat më të rënda dhe kërcënimet më serioze që prej shpalljes së pavarësisë, duke iu referuar sulmit paramilitar dhe agresionit të Serbisë në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmit kinetik të 29 nëntorit në kanalin e ujit “Ibër Lepenc” në Zubin Potok, me ç’rast u rrezikua që gjysma e popullsisë të mbetet pa ujë dhe pa energji elektrike. Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, kryeministri nënvizoi që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe”, njoftoi, ndërkaq, zyra e Kurtit, përmes një komunikate të lëshuar.
Kurti u takua në Bruksel edhe me presidentin e ri të Këshillit Europian, Antonio Costa. Atë, ZKM-ja tha se kryeministri “e informoi mbi sulmin kinetik terrorist të së premtes së 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe qëllimin e këtij sulmi për të dëmtuar prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin e ujit, nga i cili më shumë se gjysma e popullsisë do të mbetej pa energji elektrike dhe ujë”.
Në X, Kurti shkroi se në këtë takim i ka ngritur “shqetësimet në lidhje me kërcënimet dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë sonë, duke përfshirë sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën tonë kritike”, dhe se ka bërë “thirrje për përgjegjësi”.
“Bashkëpunimi rajonal duhet të bazohet në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat kërkojnë njohje dhe respekt reciprok, llogaridhënie dhe një angazhim të përbashkët për paqen”, shkroi ai.
Kurti në Facebook nuk e përmendi këtë, por shkroi se i ka ofruar Costas “bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë”.
Kallas dhe Costa ishin nikoqirë të një darke të organizuar për liderët e Ballkanit Perëndimor, ku përveç Kurtit, ishte edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq tha të shtunën se Serbia nuk ka lidhje me atë që ndodhi një ditë më parë në veri të Kosovës.
Ai tha se kishin nisur një hetim dhe se do të “insistojnë” që ky rast të zbardhet.
“Kemi dyshime të caktuara, hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendojmë se kemi disa informacione se kush mund të jetë autori”, është shprehur Vuçiq në një konferencë për media.
Kryediplomatja e BE-së, pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, tha se “rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve të tyre, në bazë të marrëveshjes së Ohrit”.
“E mirëprita gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi ajo në X.
Kurti tha të shtunën se përveç disa arrestimeve që u bënë pas këtij sulmi, institucionet e vendit kanë “dëshmi e prova materiale” dhe se “të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë dhe fuqinë e ligjit të drejtë të Kosovë”, ndërsa vizitoi të shtunën kanalin e dëmtuar.