Kurti në betejë për t’i kontrolluar zgjedhjet, MPJD ankohet në PZAP dhe ndërhyn në mënyrë flagrante në punën e KQZ-së si institucion i pavarur kushtetues
Ende pa nisur mirë procesi, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti po synon të ndërhyjë përmes dikastereve qeveritare dhe të kontrollojë organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të planifikuara të mbahen më 9 shkurt 2025.
Në mënyrë të paprecedentë dhe në kundërshtim të plotë me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ministria e Jashtme po synon të marrë nën kontroll detyra që i takojnë vetëm Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Caktimi i votuesve nëpër vendvotime në Kosovë apo edhe në vendvotime të përfaqësive diplomatike të Kosovës, ku do të votohet për herë të parë, është detyrë ligjore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kjo mund të vërtetohet përmes dy neneve, pargarafit 1 të nenit 82 dhe paragrafit 8 të nenit 96. Numri maksimal i votuesve në një vendvotim në Kosovë nuk tejkalon 750 votues, por për në përfaqësi diplomatike ky kufizim nuk vlen.
Dhe kështu ka bërë KQZ-ja. Në një vendvotim të përfaqësisë diplomatike nuk ka caktuar 750 votues, por 1,000. Pra, në total, në 47 vendvotime, numri maksimal i votuesve që ka caktuar KQZ-ja është 47,000.
Sipas KQZ-së, ky vendim është marrë në përputhje me rekomandimet e MPJD-së për kapacitetet fizike të përfaqësive diplomatike, të cilat janë kryesisht hapësira të ngushta dhe nuk kalojnë qindra metra katrorë.
Demokracia.com ka raportuar më 29 gusht 2024 për rekomandimet skandaloze të MPJD-së, të cilat nuk janë marrë parasysh nga KQZ-ja. MPJD i kishte rekomanduar KQZ-së që në Konsullatën e Cyrihut me sipërfaqe 352 metra katrorë të regjistrohen për të votuar 30,000 persona.
MPJD ANKOHET NË PZAP KUNDËR KQZ-së
Pikërisht pse KQZ nuk mori parasysh rekomandimet e MPJD-së për të catuar numër enorm të votuesve për të votuar në hapësira të ngushta, por që më pas do të përdorej si justifikim nga MPJD për të kaluar votimin në ambiente me qira.
Me ankesën e saj, MPJD ka tejkaluar autorizimet ligjore, pasi në asnjë rast nuk është detyrë e saj që të interpretojë konventat ndërkombëtare, por sipas nenit 96, paragrafit 8, MPJD e ka për detyrë që t’i ofrojë KQZ-së listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Të gjitha këto informacione, sipas ligjit, duhet t’ia ofrojë KQZ-së brenda 3 ditëve nga pranimi i kërkesës.