Kurti me pritshmëri të larta: S’do të kemi nevojë për koalicione paszgjedhore, partitë opozitare nuk janë reformuar
Kryeministri i vendit, Albin Kurti thotë se nuk sheh mundësi për koalicione pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas Kurtit i cili drejton Lëvizjen Vetëvendosje, partitë opozitare “nuk janë reformuar”.
Kurti pret që partia e tij ta tejkalojë rezultatin e vitit 2021, dhe konsideron se pritjet për gjysmë milioni vota “janë reale”.
“Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione paszgjedhore prandaj edhe i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe gjithashtu me partinë Alternativa, me të cilët kemi bashkëqeverisur në këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, nganjëherë dy prej tyre, nganjëherë të trija bashkë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se, sidomos në muajt e fundit, sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve të subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes sonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, thotë Kurti.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje garon me listë të përbashkët me “Guxo” dhe “Alternativa”.
“Ne presim ta tejkalojmë rezultatin e vitit 2021 për shkak se para katër vitesh i kishim 438 mijë vota dhe besoj që është reale që të presim që të kemi rritje, prandaj e kemi vendosur këtë synim prej gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Jemi shumë të lumtur që kemi pasur stabilitet institucional, jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe uroj që ky të jetë një fillim i mbarë i stabilitetit institucional në Republikën e Kosovës, për dallim prej qeverive të mëhershme në Kosovën e pavarur që nuk e përfundonin mandatin. Kemi nevojë për qeveri të cilat për zotimet e tyre i kanë katër vjet mandat të plotë”, thotë Kurti.