Kurti, jo Thaçi, t’i udhëheq negociatat finale

Kurti, jo Thaçi, t’i udhëheq negociatat finale

Faza e fundit e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Fati i të dyja kombeve, ka gjasë, të definohet pikërisht në muajt e ardhshëm. Përfaqësuesi ynë ende nuk dihet, ndërkohë që presidenti Aleksandër Vuçiq do ta përfaqësojë Serbinë.

BE-ja, ose Brukseli siç i referohemi nganjëherë, është një ndërmjetësues arbitrar, madje aq arbitrar sa palët negociuese krejt çka mund të bënin, ishte moszbatimi i marrëveshjeve të arritura ose shtyerja e negociatave.

Kosova deri tash është përfaqësuar nga Hashim Thaçi, analfabet funksional dhe president aktual. Marrëveshjet e arritura në Bruksel, prej 2011-s e këndej, nuk ishin aspak të këqija. Asociacioni ta zëmë, i paraparë edhe në Pakon e Ahtisaarit, duhej t’i nënshtrohej shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese. Kështu ndodhi. As marrëveshjet e tjera nuk ishin aq të tmerrshme. Është naive pritja që nga këto negociata të kërkuara dhe diktuara arbitrarisht nga BE-ja, të shpëtonim pa kurrfarë kompromisi. Varet se kah duam të shkojmë dhe në çka besojmë: drejt BE-së, duke besuar që ky projekt do të ekzistojë apo drejt një Bashkimi me Shqipërinë, duke besuar që BE-ja do të kolapsojë.

Sidoqoftë, partitë politike në Kosovë duhet të bëjnë gjithçka që të mos e lejojnë Thaçin që të përfaqësojë Kosovën në fazën përfundimtare. Kjo nuk ka të bëj me analfabetizmin e tij funksional, sepse nuk do të varet asgjë nga mosdija e tij, por ka të bëj me mënyrën se si do të prezantohet marrëveshja përfundimtare në Kosovë.

Nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta drejtonte Politikën e Jashtme të Kosovës prej 2011-s e deri tash, dhe nëse do të arriheshin bash këto marrëveshje [sepse, s’mund të arriheshin të tjera, duke qenë se dialogu praktikisht është monolog i Brukselit], atëherë njerëzit do të ishin shumë të kënaqur me Listën Serbe, Asociacionin [i cili kurrë nuk do të quhej Zajednicë], gjendjen në Veri, zvarritjen e Marko Gjuriqit në Prishtinë, rrahjen e ministrit Rikallo, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, e shumëçka tjetër. Ashtu siç u zbut Tsipras në Greqi, do të zbutej edhe Kurti në Kosovë – por kjo zbutje do të përçohej vetëm në tavolinën e negociatave në Bruksel, kurse në Kosovë do të bënte çmos me anë të një artikulimi të mirëmenduar që ta shiste rezultatin e negociatave.

Hashim Thaçi nuk di të flas mirë – një armë shumë e rëndësishme në politikë. Ai nuk ia doli t’i legjitimonte marrëveshjet e arritura, prandaj, i duhej të bënte manovra brutale që ta vendoste veten në pozicion negocimi. Thaçi ka përvojë në procesin negociator – por kjo nuk ka kurrfarë rëndësie. Imagjinoni, një marrëveshje e tmerrshme për palën serbe, të cilën asnjë serb nuk do ta pranonte [siç thoshte Henry Kissinger] u kontestua pas lufte. Pse? Sepse Thaçi, si udhëheqës i delegacionit të Kosovës, duke mos ditur t’i lidhte dy fjalë, thënë figurshëm, e kishte lënë të paartikuluar. Për më tepër, Thaçi ishte shef i Drejtorisë Politike brenda UÇK-së, e megjithatë, qëndrimi i palës kosovare ishte kontestuar.

Cilado qoftë marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ajo do të kontestohej ashpër nga oponentët e Thaçit, LDK-ja dhe Vetëvendosja, që për fatin e tij të keq, dijnë të artikulojnë pak më mirë se ai. Edhe nëse Serbia e njeh Kosovën, dhe Asociacioni në të vërtetë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive – kjo do të interpretohet krejtësisht ndryshe nga partitë opozitare, narrativën e të cilave Thaçi [edhe pse do të kishte të drejtë] nuk do të dinte ta kundërshtonte.

Përveç kësaj mungese të dijes, fjalëve, ideve, Thaçi tashmë është edhe një figurë shumë e njollosur – nga aferat e ndryshme korruptive. Atij i atribuohet faji edhe për moszhvillimin ekonomik të vendit, korrupsionin endemik, e shumëçka tjetër. Prandaj, fjala e tij për të mbrojtur marrëveshjen përfundimtare do të jetë e delegjitimuar edhe nëse do të jetë e vërtetë.

Kësisoj, do të ishte në të mirë të vendit që, Kosova të ketë një përfaqësues tjetër – ose nga LDK-ja, ose nga Lëvizja Vetëvendosje – në mënyrë që e ardhmja t’i takonte programeve ekonomike dhe jo atyre që prodhojnë farsa të panevojshme politike.

Nuk ka fakte, ka veç interpretime – thoshte Friedrich Nietzsche. Më shumë se një përfaqësues i mirë në Bruksel, Kosovës do t’i vyente një interpretues i mirë i marrëveshjes [e cila edhe ashtu, do të përgatitej, ose veç është përgatitur nga ndërkombëtarët]. Këtu, propozimi im do të ishte Albin Kurti. Kjo do ta shpëtonte vendin nga polarizimet e panevojshme.

Shpërndaje në: