Kurti i kërkon Scholzit mbështetje për largimin e masave të BE-së
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku janë pritur në një takim nga kancelari gjerman Olaf Scholz, pas përfundimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit.
Kurti, siç njofton komunikata e Qeverisë, i ka kërkuar Scholzit mbështetje për largimin e masave të vendosura ndaj Kosovës nga BE-ja dhe adresimin e çështjes së hapësirës ajrore të Serbisë.
“Së bashku diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat Gjermania mund ta mbështes Kosovën. Nga ai dhe Gjermania kryeministri Kurti kërkoi që të mbështesë largimin e masave të BE-së, gjë që tashmë është kërkuar edhe nga vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell. Kryeministri gjithashtu kërkoi nga kancelari Scholz mbështetjen në adresimin e çështjes së hapësirës ajrore të Serbisë e cila mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt dhe nga Kosova tash e 25 vjet, duke shkaktuar kështu si dëme financiare kompanive të fluturimeve ashtu edhe ndotje të mjedisit për shkak të zgjatjes së fluturimeve për dhe nga Kosova”, njoftohet në komunikatë.
Sa i përket raporteve me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli, kryeministri tha se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiqit por edhe i grupit të tij për të cilin tashmë ka aktakuzë nga prokuroria e shtetit, dhe tërheqja e letrës së Serbisë në të cilën shpreh rezervat për Marrëveshjen Bazike janë themelore dhe dëshmi e vullnetit të mirë e mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit.