Kurti i fton afaristët shqiptarë në Turqi, të investojnë në Kosovë duke iu thënë se rryma është lirë

Kurti i fton afaristët shqiptarë në Turqi, të investojnë në Kosovë duke iu thënë se rryma është lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar afaristë shqiptarë e me prejardhje shqiptare mbrëmë gjatë qëndrimit në Stamboll të Turqisë, të cilët i ka ftuar të investojnë në Kosovë, duke ua përmendur, ndër tjerash, “çmimin e lirë të energjisë elektrike”, njoftoi zyra e tij.

Në një darkë me ta, Zyra e Kryeministrit thotë se Kurti “i njoftoi me progresin që Kosova ka shënuar në rrafshin ekonomik në tri vitet e fundit, duke theksuar rritjen për dyfish të investimeve të huaja dhe eksporteve, por edhe rritjen e të hyrave tatimore për 2/3, pa ndërruar politikën fiskale, por si rezultat i rritjes së besimit në institucione”.

“Kryeministri gjithashtu veçoi mjedisin e favorshëm për investime në Kosovë, përfshirë këtu çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating”, thuhet në njoftim.

Kurti i ka ftuar biznesmenët shqiptarë dhe me prejardhje shqiptare atje që ta shqyrtojnë mundësinë për të investuar në Kosovë.

“Teksa shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës sonë në Turqi, ai u bëri thirrje përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë. Ai këtë thirrje e bëri duke u ofruar mbështetjen e Qeverisë bashkë me infrastrukturën ligjore dhe mekanizmat shtetërorë në mënyrë që investimi të jetë i sigurt dhe fitimprurës”, thuhet në njoftim.

ZKM thotë se “kryeministri i falënderoi të gjithë të pranishmit për mikpritjen e ngrohtë dhe për angazhimin e rolin e tyre të rëndësishëm në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, përveçse kontributin e vazhdueshëm për vendlindje si mërgatë”.

Në këtë darkë, përkrah Kurtit ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, shefi i stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan.

Shpërndaje në: