Kurti e Murati fajësojnë Haradinajn për humbjen e 21 milionëve me “ContourGlobal”
Qeveria e Kosovës ka votuar pro pagesës së dëmshpërblimit prej 21 milionë eurove ndaj kompanisë “ContourGlobal”.
Për këtë humbje milionëshe, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë fajësuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
Pavarësisht dëmeve, Kryeministri Albin Kurti tha se është më mirë që ky projekt nuk është realizuar.
“Siç kemi thënë vite më parë, ashtu edhe rezultoi, Ky projekt as s’ka qenë i ideuar të realizohet e as s’ka qenë përmbajtje, e i dobishëm për vendin tonë. Për fat të keq, ndërprerja e Qeverisjes tonë në pranverën e vitit 2020, dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëtirë për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar që Kosova të mos kishte pasoja të tilla. Kështu siç kanë shkuar ngjarjet, krijohet bindja se asnjëherë ky projekt nuk e ka pasur në plan ta gjejë financimin e duhur por është mjaftuar me idenë e një Arbitrazhi të mundshëm që t’ia merr paratë Kosovës. Megjithë pasojat, është shumë më mirë që i njëjti nuk është realizuar sepse një mbrapështi e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, deklaroi Kurti.
Ministri i Financave dhe Transfereve , Hekuran Murati, ka thënë se kjo vjen pasi “ContourGlobal” ka fituar rastin ndaj Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Abritrazhit.“Për pagesë sipas tribunalit të Arbitrazhit, një marrëveshje e cila ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2017 përmbante vet nënshkrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj”.
“Ata kishin nënshkruar marrëveshjen përkundër thirrjeve të opozitës dhe shoqërisë civile, një kontrate e tillë nuk do të duhej të nënshkruhej në fillim. Një nënshkrim i papërgjegjshëm ikushtron kosovës mbi 21 milion euro”, ka thënë Murati.