Kurti, ambasadorëve: Për secilën gënjeshtër të Serbisë ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë
Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga ambasadorët që të jenë vigjilent dhe të reagojnë shpejt përballë propagandës serbe.
Në konferencën e shtatë me ambasadorët e Republikës së Kosovës, e cila po mbahet në Prishtinë, ai ka thënë se Serbia me ndihmën e Rusisë ka ngritur një rrjet narrativash të rreme kundër shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë që për secilën gënjeshtër të Serbisë ata duhet ta kenë të gatshme të vërteten e Kosovës.
“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kibernetike, e terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme. Dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë dhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme, që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi që të jeni të shpejt në reagime. Për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë”, ka deklaruar Kurti.
Shefi i Qeverisë ka vlerësuar se në epokën rrjeteve sociale komunikimi është më i rëndësishme se kurrë me parë.
“Jemi në epokën e rrjeteve sociale dhe të komunikimit të menjëhershëm e të pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet , dhe për më keq i lë hapësirë propagandës edhe dezinformatës. Raportet që ju tregoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të brehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni, më parë se gjatësia e dokumenteve”, është shprehur Kurti.