Kurti: 11 Shtatori, epokë e re ku terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendës-kryeministren e ministren e Jashtme e të Diasporës, Donika Gërvalla, me ministra të tjerë, si dhe me zëvendës-ambasadoren e SHBA-së, Prattipati, ka bërë homazhe në nderim të viktimave të 11-Shtatorit në SHBA.
Kurti tha se kujtimi shkon për viktimat, “solidariteti ynë shkon me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre, |gjithashtu bashkëpunimi ynë me qeveritë demokratike anë e mbanë botës të prira nga SHBA në luftë kundër terrorizmit”.
“Kjo ngjarje që prej atëherë paraqet një epokë të re, sepse terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan e do të thosha edhe secilit qytetar liridashës i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat njeriut, pluralizëm politik e mirëqenie që nuk diskriminon asnjeri”, tha Kurti.
Kurse zëvendës-ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, duke falënderuar kryeministrin Kurti dhe kabinetin e tij qeveritar për nderimin e dedikuar viktimave të 11-Shtatorit, tha se falënderon gjithashtu edhe popullin e Kosovës për mbështetjen e palëkundur kundrejt SHBA-së.
Ajo tha se jetët e humbura nuk janë vetëm të SHBA-së, por edhe të vendeve të tjera gjithandej botës. Sulmi i 11-Shtatorit ishte sulm ndaj lirisë dhe demokracisë.