Kur Thaçi keqpërdor Rugovën
Në një intervistë të tijën të dhënë në vitin e largët 1994, kryetari i asokohshëm i LDK-së, Ibrahim Rugova, në pyetjen e dy ish gazetarëve të gazetës “Zëri” – Blerim Shala, aktualisht këshilltar i presidentit Thaçi, dhe Halil Matoshi, momentalisht këshilltar i kryeministrit Haradinaj (çfarë ironie!) – se çfarë mendonte rreth idesë së ndarjes së Kosovës, ishte përgjigjur si në vijim:
“Për ne është e papranueshme ndarja e Kosovës. Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që për Leposaviqin dhe disa territore në veri të Kosovës, të banuara me shumicën serbe, të fitojmë Preshevën dhe viset tjera në Serbinë jugore, të banuara me shumicën shqiptare.”
Që të bëhem plotësisht i sinqertë me ju, për këtë intervistë të Rugovës dëgjova vetëm para ca ditësh, falë presidentit aktual të Kosovës – i cili, përveç të tjerash, njihet botërisht edhe për punën kërkimore në fushën e Historisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare!
Po si bëhet që pikërisht presidenti Thaçi, i cili dikur e cilësonte Rugovën si tradhtar, po i referohet tani një interviste të tij, ku ai shprehet pro këmbimit të territoreve me Serbinë?
Në mendimin tim, janë tre arsye kryesore pse ai është duke e keqpërdorur intervistën e Rugovës.
Së pari, duke risjell këtë intervistë të të ndjerit Rugova, Thaçi synon të arsyetojë tradhtinë e vet shtetërore në raport me Serbinë – duke i dhënë kësaj të fundit pjesën veriore të Kosovës dhe, në këmbim të saj, duke marrë ca djerrina në pjesën Jugore të Serbisë. Së dyti, duke e dekontekstualizuar tërësisht intervistën në fjalë, presidenti Thaçi synon po ashtu të thotë se ideja për ndarjen e Kosovës nuk është rezultat i koncesioneve të vazhdueshme të tij në dialogun me Serbinë, por konsekuencë e ideve që kanë qarkulluar qysh në kohën e para-luftës. Dhe së treti, duke keqpërdorur figurën e Rugovës, ymyti i tij është të mashtrojë Lidhjen Demokratike të Kosovës, për t’u bërë sërish pjesë e kompromiseve në dëm të shtetësisë së Kosovë, siç ka bërë prej vitit 2008 e tutje.
Mirëpo, përveç motiveve dhe veprimeve anti-shtetërore të Thaçit, thirrja në një intervistë të Rugovës tregon, në esencë, se ai dhe këshilltarët e tij nuk kuptojnë asgjë nga dialektika e politikës.
Pse?
Sepse konteksti kohor dhe rrethanor kur Rugova qe deklaruar pro idesë së këmbimit të territoreve ishte krejtësisht tjetër. Siç dihet nga kushdo, Kosova atëkohë kontrollohej efektivisht nga forcat policore dhe ushtarake serbe, të cilat e mbanin të okupuar Kosovën.
Kurse, sot, të riaktualizosh një ide të tillë – në kohën kur Kosova është çliruar nga Serbia, ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008, dhe është njohur nga më shumë se njëqind vende të ndryshme të botës – është budallallëku me i madh jo vetëm politik por edhe njerëzor.
Me këtë logjikë, Kosova do të duhej të kërkonte autonomi brenda Serbisë, meqë pak kohë mbas suprimimit të autonomisë së Kosovës Rugova qe deklaruar (në një intervistë të tij) kundër heqjes së autonomisë!
Përnjëmend, vetëm një njeri që ka shkëputur lidhjet e tij me popullin mund t’i bëjë kaq dëme të mëdha kombit të tij sa presidenti Thaçi.