Kur shkruante Enver Hoxhaj për luftën
Çfarë u mendua si punë e ligë që do të shkonte fundit afër për punë ditësh, është kthyer në një makth botëror që po luhet në skenë me aktorë reale prej një viti.
Kur makineria ruse e luftës, avionët ushtarakë, raketat e tanket sulmuan Ukraninën, shumëkush gjykonte vetëm për kushtet poshtëruese të paqes që do t’i imponohej viktimës. Dhe kur modestisht, në sallën e parlamentit shqiptar apo dhe ndonjë zë tmerrësisht i vetmuar studiosh televizive pohonte se në kufirin më lindor të Evropës luftohej edhe për njohjen e realitetit të ri evropian, Kosovës, turma e pafundme e naivëve që ulërimën e konsiderojnë argument, ata që në epokën e kompiuterave, vazhdojnë t’i bëjnë me gishta llogaritë dhe që veshur me paturpësinë e padijes, e bëjnë me turp edhe vetë turpin, kishin bindje se në përplasjen e dy botëve, qytetërimi po numëronte shansin e ri të dështimit. Fatmirësisht nuk ndodhi kështu! Falë heroizmit ukrainas dhe aleatëve ndërkombëtarë me SHBA-në në krye, cinikët dhe lindorët në mendësi, neobolshevikët dhe gjithë ata që pa dallim, binjakërojnë me matrioshkën ruse të zotit Putin, tani provojnë zhgënjim të thellë. Të gjithë ata, ditë pas dite, në çdo ditë të këtij viti të përgjashëm, kanë pasur rastin që të përgënjeshtrohen në bindjen e tyre të rreme se në ndeshjen mes dy sistemeve, autokracitë janë të avantazhuara. Sot, e vetmja e gjë panjohur nuk është emri i fitimtarit të luftës, por çmimi që do të duhet të paguhet ende për paqen dhe cilët janë skenarët që do të luhen në Rusinë postagresion.
Ky është një vit reflektimi edhe për kufinjtë modestë të botës shqiptare. Këtej dhe andej Morinës, në Tiranë dhe në Prishtinë, mund të numërohen formalisht me qindra njerëz që konsiderojnë politikën si profesion të tyre. Secili nga ta mund të llogarisë me qindra e qindra fjalime për kokë, por janë vetëm më pak se një gjysmë dyzine mes tyre, që kanë arritur të shkruajnë një libër. Enver Hoxhaj, ish-ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës dhe deputet i parlamentit, botoi pas vetëm një muaji nga shpërthimi i luftës, një punë studimore kushtuar tragjedisë që po zhvillohet në skaj të Evropës. “Përplasja e madhe. Si po e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin”, është një manual i shkëlqyer për për të kuptuar jo thjesht atë që po ndodh me mijëra kilometra larg, por sidomos vlen për dritën që hedh tek pikëtakimet e luftës me botën shqiptare në Ballkan dhe vetë rajonin në përgjithësi. Një udhërrëfyes praktik orientimi për të sotmen dhe një sërë propozimesh konkrete për të nesërmen shqiptare dhe rajonale.
Çdo libër ka fatin e tij dhe ai zakonisht nuk varet nga cilësia e të shkruarit. Janë një sërë faktorësh që lenë jashtë ndikimit në fatin e librit edhe autorin që shkruan, edhe lexuesin që e strehon në bibliotekë. Libri i Hoxhajt humbi zërin në zhurmë ose më saktë, zëri i tij nuk u ndje mjaftueshëm sipas meritës sepse ai shkonte përtej skenarit me ndeshjet e zakonshme politike, me atë gërvimë mediokre që shoqëron si rregull dhe jo përjashtim përditshmërinë e dy shteteve shqiptare. Pika e ujit ku rëndom mbytet kjo përditshmëri, refuzoi të shkojë tek ky burim origjinal idesh e qëndrimesh. Libri u duk i pavend si shala e kalit në haurin ku gomerët janë shumicë tronditëse.
Që në prillin e vitit të shkuar Hoxhaj u bashkua, ndoshta si shqiptari i vetëm deri më tani, me atë klub ndërkombëtar studiuesish që u rrekën të shpjegojnë se çfarë po ndodhte. Autori dëshmon idenë e tij se dështimi euroatlantik në parandalimin e konfliktit u shoqërua me aftësinë e Perëndimit për reagim ndaj tij. Hoxhaj shpjegon se përkundër të gjitha pritshmërive, çfarë u mendua si grusht vdekjeprurës për demokracinë, u soll në skenën gjeopolitike si një shans më shumë për përkryerjen e saj, se çfarë u mendua si izolim provincial brenda kufirit kombëtar të vendeve të frikësuara nga agresioni, u kthye në një faktor që ndikon edhe më shumë, edhe më fort nevojën për bashkëpunim dhe hapje.
Rebusi i ri gjeopolitik, rishkrimi i rregullave të reja të bashkëjetesës dhe mbi të gjitha, ndikimi i kësaj tragjedie në gjithë hapësirën ballkanike e veçanërisht në Kosovë, merr përgjigje alternative në këtë libër. Njohja e shkëlqyer e historisë, i ka dhënë fatmirësisht Hoxhajt instrumentin e duhur për të shpjeguar të ardhmen. Që nga qasja tradicionale ruse ndaj Kosovës dhe ajo personale e zotit Putin, tek rikthimi i ambicjeve ruse në Ballkan, që nga raportet me Serbinë në këtë trekëndësh me kulm vëllain e saj të madh sllav e deri tek e nesërmja e transformimit të Evropës si përgjigje për tragjedinë e sotme, këto janë pikat kryesore të një libri i cili nuk do shpjeguar e komentuar, por duhet lexuar. Madje tani edhe më shumë se një vit përpara kur edhe u botua. Riorientimi apo theksimi i prioriteteve formalisht të ndryshme të Kosovës pa ndryshuar objektivin final, janë një këshillë e librit që duhet dëgjuar me vëmendje, qoftë në Prishtinën zyrtare që duhet të veprojë, qoftë në Tiranë që duhet të mbështesë dhe mbështet pa kushte Kosovën.
Antarësimi i Kosovës në NATO, në Këshillin e Evropës dhe njohja nga pesëshja ende dyshuese evropiane, janë hapat e domosdoshëm në përgjigje të stutusit të ngrirë jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë rajonit. “Paqja është vetëm një mungesë e përkohshme e luftës”, është një paralajmërim për aktorët dhe faktorët politikë që situatën e ngrirë e shohin si qëllim të përhershëm dhe jo si stad të përkohshëm, edhe më të dëmshëm se lëvizjet e mundshme të dhembshme.
Lufta nuk është asnjëherë ajo që duket në lajmet televizive apo në kronikat e medias. Lufta nuk është një statistikë e thjeshtë që përfshin numërimin e raketave të hedhura, rreshtat e të vrarëve, të plagosurve apo karvanët e refugjatëve të zhvendosur nga tmerri dhe përpjekja për mbijetesë. Lufta nuk është as rrëfim ngjarjesh dramatike personale, ndeshje me urinë apo shkatërrim i përditshmërisë. Eshtë shumë më tepër se thyerja e rutinës, është shumë më shumë se fotografia me fëmijë që nuk shkojnë më në kopësht, libra që nuk shkruhen, këngë që nuk këndohen, toka që nuk mbillen apo dashuri që nuk dashurohen sepse është vrarë në shtëpi fëmija, është copëtuar nga predhat në front shkrimtari, këngëtari e fermeri. Sepse lufta ka vrarë vajzën dhe djalin e romancës së thyer. Lufta është dhe një mundësi për të kuptuar vlerën e paqes dhe leksioni universal se ja vlen pagesa e çdo çmimi për luftën, për të mbërritur tek paqja.
Libri i Enver Hoxhajt jep përgjigjet e tij vetjake. Autorë të tjerë mund të kenë të vërteta aleternative, të ndryshme me të. Por, në thelb, në një fare mënyrë Hoxhaj shpëtoi nderin e klasës së politikanëve që përfaqëson duke shkruar një libër që mbetet në epokën e fjalimeve që harrohen. I botuar nga UET Press, ai është një ndihmëse e çmuar për të kuptuar vendin modest që hapësira shqiptare zë në këtë botë të pafundme dhe të egër. Një botë në të cilën edhe kur nuk kemi mundësi që të diktojmë kushtet tona të lojës, së paku duhet t’i kuptojmë rregullat e saj. Ndryshe, jemi të humbur. Të gjithë të humbur!