Kur neofashisti feston”çlirimin” nga fashizmi me porosi fashiste
Ai erdhi në Mitrovicë dhe e festoi ditën e “çlirimit”. Erdhi në Republikën e Kosovës të festojë me qytetarët, pushtetarët e veriut të Mitrovicës dhe ata të qendrës. Po edhe kësaj radhe, si çdo herë që i jepet rasti përcolli mesazhe. Në fjalimin para audiencës, tërësisht serbe, përmendi “fashistët” shqiptarë por jo fashizmin apo neofashizmin serb. Ky postier dhe zëdhënës i politikës serbomadhe të Serbisë nuk e përmendi faktin se nga 12 500 hebrenj që ishin para Luftës së Dytë Botërore në Serbi, 88% e tyre u vranë me ndihmën e fashistëve serb. Ky politikan nuk e përmendi Milan Nediqin dhe letrën që ai ia dërgon Hitlerit me 30 Janar 1943 apo telegramin ku lajmëron se “ çështja çifute është zgjidhur”. Ky politikan nuk e përmendi rolin e klerit serb në tragjedinë hebreje në serbi, sidomos rolin e vladikës Nikolaj Velimiroviq. Nuk e përmendi rolin e politikanëve fashist serb, nuk e përmendi Drazha Mihajlloviqin. Edhe mesazhet që ai i përcolli ishin fashiste e naziste. E kush mund t’i sjellë këto mesazhe përveç se një i edukuar në ideologjinë fashiste si është Gjuriqi.
Ajo që u dëgjua (së paku ashtu siç përcoll në media), ishte mesazhi që ia dha ai komunitetit serb, se si duhet të “mbijetojnë” Kosovë. Ai u tha atyre se për këtë “përgjigjja e tyre do të jetë sikur që na kanë mësuar paraardhësit tanë”. Nuk besoj se ky postier dhe zëdhënës i politikës serbomadhe të Serbisë, të mos ketë menduar në mësimet e “Naçërtanjes”, Urdhëresën e Princ Milan Obrenoviqit, Memorandumin e Vasa Çubrilloviqit, projektin e Ivo Andriqit, mësimet e Aleksandër Rankoviqit, të Dobrica Qosiqit, Sllobodan Millosheviqit etj. Nuk besoj të mos ketë menduar në mësimet e paraardhësve të tij, që zhvilluan luftërat në ish Jugosllavi, e sidomos të atyre që vepruan e bënë gjenocid në Kosovë. Nuk besoj të mos ketë menduar në mësimet e paraardhësve të tij që pastruan sanxhakun e Nishit nga popullata shqiptare, të atyre që shpërngulën qindra mijëra banorë shqiptarë nga Kosova, të atyre që i zbatuan në vazhdimsi programet e kolonizimit me serbë, të atyre që kryen gjenocidin në Srebrenicë, të atyre që zbatuan aparteidin në Kosovë, të atyre që kryen krime kundër njerëzimit në Kroaci, Bosnje e Kosovë, të atyre që e ideuan dhe zbatuan planin sekret ”Patkoi” për pastrimin etnik të Kosovës nga popullata shqiptare etj. Një politikan i tillë, si Marko Gjuriqi, që porositë dhe i riprodhon elaboratet fashiste nuk mundë te jetë tjetër veç se një neofashist.
Ironike, apo jo, por në të njëjtën kohë kur postieri dhe zëdhënësi i politikës serbomadhe të Serbisë feston ”çlirimin” nga fashizmi, promovon idetë fashiste të paraardhësve të tij, promovon ideologjinë e hershme fashiste serbe. Në të njëjtën kohë kur flet kundër fashizmit, ai i shërben shtetit që udhëhiqet nga një president me të kaluar fashiste, i cili e mohon gjenocidin dhe krimet e shtetit të tij, e i cili i dërgon letër Putinit dhe i thotë ”miratimi i rezolutës nga OKB për shpalljen gjenocid, krimin në Srebrenicë, do të thotë luftë e re në Ballkan”. Në të njëjtët kohë kur flet kundër fashizmit ai shërben në qeverinë që udhëhiqet nga një kryeministër që ishte Ministër Informacioni i politikës fashiste serbe në vitet e 90ta të shekullit të kaluar dhe në koalicion me një parti që politikën gjenocidale e kishte pjesë të programit politik. Në të njëjtën qeveri Ministër i Punëve të Jashtme është ish-zëdhënësi i Millosheviqit.
Postieri dhe zëdhënësi i politikës serbomadhe të Serbisë, shpesh eksperimenton qëllimshëm me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës. Këto eksperimente, sa janë të rrezikshme, janë ironike, tallëse, cinike dhe tejet poshtëruese për viktimat dhe të mbijetuarit e krimeve masive të luftës dhe gjenocidit. Mbi këto eksperimente nuk mund të ndërtohet paqja e qëndrueshme. Këto eksperimente ky politikan serb i bënë sepse shteti i tij dhe politika e këtij shteti asnjëherë nuk është përballur me të kaluarën fashiste. Asnjëherë ideologjia fashiste e shtetit të tij nuk është dënuar, siç u dënua ideologjia nazi-fashiste e Gjermanisë.
Përballja me të kaluarën nuk është eksperiment, por marrje e përgjegjësisë për veprimet kryera, siç bënë dhe vazhdojnë të bëjnë gjermanët. Bashkësia ndërkombëtare nuk eksperimentoi me drejtësinë në rastin e dënimit të krimeve të nazizmit, ashtu siç nuk eksperimentoi me kërkimfaljen dhe përballjen me të kaluarën, lidershipi politik gjerman i pas Luftës së Dytë Botërore.
Paramendojeni sikur Gebelsi të mbijetonte e të shkonte në vend të Kancelarit Gjerman Willy Brandt e të kërkonte falje në ish-geton hebreje të Varshavës. A do të ishte e mundur një e gjë e tillë? Përgjigja është një JO e madhe, sepse edhe po të kishte mbijetuar Gebelsi atë do ta priste Nurenbergu apo proceset tjera, që ende vazhdojnë, dhe me siguri do të dënohej me vdekje, siç u dënuan të tjerët. Paramendojeni sikur Gebelsi, si ideolog, hartues, promovues dhe arsyetues i politikës shfarosëse ndaj hebrenjve të mbijetonte e të mundohej të konvertohej në politikan i moderuar gjerman. A do të pranohej, siç u pranuan Nikoliqi, Vuçiqi e Daçiqi, e politikanët e tjerë serb që deklaronin ”per një serb të vrarë, do të vrasim 100 myslimanë”, ”për shqiptarët e kemi zgjidhjen si pas Luftës së Dytë Botërore”, “nëse ndodh bombardimi nga ana e NATO-s, nëse ndodh agresioni amerikan, ne serbët goxha do ta pësojmë, por shqiptarë në Kosovë nuk do të ketë kurrë”, ” “Radovan Karaxhiqi është hero dhe jo kriminel”, ”Ratko Mlladiqi nuk duhet dorëzuar në Hagë”, “Sllobodan Millosheviqi është hero”, etj. Dhe këto nuk ishin vetëm deklarata të dhëna nën afekt, por ishin pjesë e programit të zbatuar nga institucionet e shtetit serb, në të cilat bënin pjesë politikanë të sotëm në Serbi madje kishin edhe poste ekzekutive. Nga këto dhe me ndihmën e këtyre institucioneve serbe u shkaktuan krime masive e gjenocid në Kosovë, Bosnje e Kroaci. Vetëm në Kosovë, nga këto institucione dhe në përgjegjësinë e këtyre politikanëve, vetëm në periudhën mes 28 shkurtit 1998 deri më 22 maj 1999 u kryen 274 vrasje në masë, me trupa të shpërndarë në rreth 500 varreza masive.
”Veprimet e Serbisë në esencë dallohen nga veprimet e Gjermanisë naziste vetëm për nga numri”, vlerësonte Daniel Johan Goldhagen.
Sikur të kishim pas një proces “neo Nurenberg” për Serbinë, është mëse e qartë se sot nuk do të kishim neofashistë që vijnë e promovojnë ide neofashiste. Sikur të kishim qenë dëshmitarë të një procesi “neo Nurenberg” për Serbinë, do të kishim tanimë një “Willy Brandt serb”, që do të përulej para përkujtimoreve të viktimave të fashizmit serb.
Koha, kur Willy Brandt u përul para viktimave, ishte e tillë që i gjithë sistemi, struktura dhe ideologjia që i kishte shkaktuar ato mizori ishte dënuar e shkatërruar deri në themel. Ishte koha kur vetëm mohimi deklarativ, nga secili person (dhe kurrë nga politikanë) në Gjermani, i krimit ndaj hebrenjve dënohej (edhe sot dënohet). E në Serbi, jo vetëm që mohohet se ka pasur gjenocid, por me të madhe tentohet të bindet bota se ata ishin viktima, e dokrra të tilla neveritëse. Se sa improvizuese është Serbia tregojnë improvizimet në dënimin e krimeve të luftës në Serbi. Përkundrazi Serbia, dekoroi dhe vazhdon të dekorojë politikan, ushtarakë e policë, që bënë masakra në Bosnjë e Kosovë, e në Gjermani kjo nuk mund të merret me mend.
Serbia nuk mund të shesë improvizimet si të vërteta, përderisa ajo nuk pastrohet nga aparati, sistemi i edukimit dhe ideologjia serbomadhe, që shkaktoi miliona viktima e sidomos gjenocidin në Bosnjë e në Kosovë. Së paku jo tek viktimat. Si mund të merret seriozisht një neofashist që është postier dhe zëdhënës i shtetit që vrau, masakroi, përdhunoi dhe ushtroj gjenocid ? Si mund të mbaj leksione kundër fashizmit ky postier dhe zëdhënës shtetit serb kur as familjeve të fëmijëve serbë të vrarë nga vetë shteti serb, më 14 dhjetor të vitit 1998, në kafenenë “Panda” në Pejë, nuk iu kërkua falje e aq më pak iu ofrua drejtësi?!
Institucionet tona duhet të kenë parasysh që këto veprime që promovojnë idetë fashiste krijojnë destabilitet dhe nxisin rilindjen dhe përsëritjen. Parandalimi i kësaj retorike është mëse i domosdoshëm. Është koha kur Institucionet tona duhet të mendojnë për krijimin e kornizës ligjore që i sanksionon të gjithë ata që mohojnë apo nxisin të tjerët për ta mohuar në çfarëdo mënyre, qoftë edhe deklaritivisht, krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit, pastrimin etnik dhe holokaustin, të gjitha këto të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare. Shteti ynë nuk guxon të bëhet territor i ripërtritrjes së ideologjisë fashiste.