Kur në vend të futbollit do të mbrosh ortodoksizmin
Vendi që i dërgon futbollistët e tij të mbrojnë ortodoksizmin në vend se të luajnë futboll, vendi që dërgon selektorin e tij që t’i shajë lojtarët e ekipit kundërshtar me një fjalor fashist e racist në vend se të trajnojë ekipin e tij, natyrisht që do ta ketë këtë fund. I mundur, i turpëruar, i frustruar e i tërbuar ndaj botës në vend se ndaj vetes.
Dhe gjithçka u reduktua në atë fjalinë e ndyrë të legjendës të dikurshme të futbollit, ndërsa tani të një selektori fatkeq të Serbisë, Dragan Stojković Piksi, me të cilën ai u drejtohet nënave të futbollistëve zviceranë.
Piksi i zhytur në hendekun e së keqes, nuk e di se kundër kujt po luan.
“Jeb*m li vam majku šiptarsku u picku!”, („Ua q… në p… nënën shqiptare!“) ulëriti Piksi, qartazi duke aluduar në origjinën e një numri të lojtarëve zviceranë, duke demonstruar kësisoj një nivel të lartë racizmi dhe protofashizmi të prapambetur dhe primitiv vetjak.
Për ata që nuk e dinë, në seleksionin zviceran të Murat Jakinit gjenden edhe tre lojtarë me prejardhje shqiptare: Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri i Ardon Jashari.
Mirëpo kjo tani nuk ka aspak rëndësi. Rëndësi ka motivi, rëndësi ka sfondi, rëndësi ka gjendja e vetëdijes së selektorit serb dhe e një pjese të madhe të kombit, të gjithëve së bashku me kuazi-ekspertët e futbollit, të cilëve urrejtja ndaj shqiptarëve ua ka errësuar plotësisht mendjen, ua ka pirë edhe atë pak tru që u ka mbetur dhe ua ka çoroditur logjikën. Qoftë edhe një qytetari mesatarisht të çinteresuar, që ndjek sportin sipërfaqësisht dhe me raste, i është dukur sikur Serbia po luante kundër Shqipërisë apo Kosovës dhe jo kundër Zvicrës. Dhe kjo jo për shkak të futbollistëve zviceranë, por për shkak të opinionit publik serb. Kështu mediat në serbi, jo vetëm ato sportive, e ndezën atmosferën gjer në shkallën e zjarrit të sëmurë nacionalist, që u transformua në një linç medial të zviceranëve.
Kur në vend të futbollit shkon të mbrosh ortodoksizmin
Mirëpo, po e përsëris, këtu më së paku bëhet fjalë për sportin, nëse ka çkado qoftë sportive tek Piksi, i cili është transformuar në një hohshtapler nacionalist, dhe nëse ka çkado qoftë sportive në mediat serbe, të cilat, shikoni tani, shkruanin sikur kjo përfaqësuese po shkonte të mbronte ortodoksizmin në kampionatin botëror në Katar (sic !). Do të ishte logjike sikur po shkonin thjesht për futboll, por jo, – në vendin tonë-reality të të varfërve, në të cilin të vetmet yje janë kriminelët e luftës dhe pjesëmarrësit e tv-programeve bizare, në të cilin një neurotik si presidenti Vucic në po këtë gjendje e mban gjithë vendin, është fare e pritshme që edhe përfaqësuesja futbollistike, në vend të futbollit po shkonte të merrte hak, të mbronte, të priftëronte, të nëmte e të mallkonte; po shkonte të ruante ortodoksizmin, t’u dilte në mejdan muslimanëve, katolikëve dhe të gjithë të tjerëve në atë farë bote të ligë. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një mesjetë digjitale në shkëlqimin ose në mjerimin e saj të plotë, si të dëshironi. Objektivisht, reprezentacioni serb nuk tregoi asgjë, ndërsa portieri i cili në tri ndeshje të kampionatit mori 8 gola, qe lojtari më i mirë, gjë që ndoshta e tregon më së miri pafuqinë sportive.
Mirëpo kjo s’ka ndonjë rëndësi, sepse ky është sport, ndërsa në sport ka edhe rënie edhe ngritje. Megjithatë, në vend të sportit ne patëm rastin të shohim gjithçka, që nga pretorianët e Vuçiqit nëpër tribuna, deri te aferat bizare seksuale të futbollistëve. Dhe qelbi i Serbisë radikale u ndje edhe në Katar. Opinioni u mor më shumë me prostitucionin, me prirjet seksuale e paudhësi të tjera, të shoqëruara natyrisht me „mbrojtjen e Kosovës dhe të shenjtërive“ se sa me ndeshjet. Me në fjalë, Serbia iu prezantua botës pikërisht ashtu siç ishte.
Prandaj logjikisht, ndeshjet ishin ashtu siç ishin, por vetëm futboll nuk ishin. Këta serbë të rinj të veshur me fanela serbe nuk janë në nivelin e detyrës, sepse ashtu si shumë sportistë të tjerë, edhe këta janë shndërruar në punonjës të Vuçiqit dhe të shërbimit PR (Public Relations) në terren. Prandaj është edhe e pritshme që vetë Vuçiqi, në ndonjë fjalim të tij patetik, të marrë përgjegjësinë mbi vete për sa i përket disfatës futbollistike serbe, edhe pse askush nuk do t’ia kërkojë, mirëpo ai është një pronar i vërtetë i tokës bashkë me të gjithë njerëzit dhe me patundshmëritë mbi të, prandaj edhe sillet si i tillë.
Natyrisht, ai do ta bëjë këtë në pauzat e shpërthimit të tërbimit ndaj kryeministrit kosovar Albin Kurti, të cilin e quan terrorist dhe fundërrinë. Ja pra, kështu duket ky diskurs në finale, ky është realiteti dhe reality brenda tij. Nëse kryetari për çdo mbrëmje ua keqtrajton ganglionet trunore me rrëfime mbi Kosovën serbe, nëse akademi të fuqishme shkencash bëjnë gjithçka për t’i shndërruar shqiptarët në qenie të ulëta dhe jonjerëzore, dhe këtë për dekada të tëra, nëse selektori i ekipit nacional shqipton para kamerave si fjalinë më normale të mundshme atë se çfarë do t’u bënte „nënave shqiptare“, atëherë futbollistët në fushë s’janë veçse dora e zgjatur e së keqes që sundon përreth tyre, dhe e cila aq shumë është grumbulluar në Serbi, saqë kjo e fundit tani thjesht nuk e di se ku është dhe çfarë është.
Në një anë Aleksandar Vulini drejton BIA-n në emër të rusëve, në anën tjetër Vuçiqi në prime time na e „kthen Kosovën“, në anën e tretë populli i çoroditur rusofil që jeton në mjerim dhe në iluzione, ndërsa në anën e katërt njerëz të akomoduar reality si puna e këtyre futbollisteve, që janë produkti i të gjitha këtyre – ja anamneza e përgjithshme. Prandaj rënia nga botërori është më e pakta gjë që ka mundur t‘i ndodhë Serbisë.
Kjo natë do të kalojë, dhe më në fund të gjithë do të kthehen në shtëpitë e tyre me disfatën në xhep, përpos kampionit. Ndryshimi qëndron në faktin se përfaqësueset tjera bashkë me popujt përkatës do t’i kthehen jetës së tyre normale dinjitoze për njerëz, ndërsa Serbia, pas humbjes nga Zvicra, e cila u lexua si një humbje nga Kosova, do t’i kthehet vetëvetes, një njeriu dhe një pusi përplot me demonë përbrenda.
(Perktheu: B. Elshani)