Kur mendojmë për emigrantët, pse nuk e mendojmë edhe Ajnshtajnin dhe Ronaldon?
Shumë futbollistë, shumë të nominuarë për Oskar, laureatë të Nobelit janë emigrantë. Është koha që të rrëzojmë stereotipet rreth migracionit
Kur shumica e njerëzve e dëgjojnë fjalën “migracion” apo “migrantë”, ata ndoshta mendojnë për njerëzit e varkave të vogla e të mbushura, që shkojnë drejt Greqisë apo Italisë. Dyshoj se fjala “migrant” nxjerr nga mendja imazhet e Cristiano Ronaldos, Kate Winsletit ose Albert Einsteinit. Kjo është ajo që njerëzit nuk e mendojnë kur flasin për migrantët. Por pikërisht kështu duhet.
Futbollisti më i suksesshëm në botë, aktorja e filmit të dytë më të suksesshëm të të gjitha kohërave dhe një prej njerëzve më të mençur në histori janë teknikisht emigrantë. Nuk po zgjedh njerëz veç palidhje. Hulumtimi im tregon se 55% e futbollistëve ndërkombëtarë, gati gjysma e aktorëve më të mire dhe aktoret më të mira të nominuara për Oscar prej vitit 2000, dhe gati një e treta e të nominuarve për çmimin Nobel që nga viti 1901 ishin emigrantë.
Agjencia e migracionit të OKB-së e definon emigrantin si “çdo person që lëvizë ose ka lëvizur në kufijtë ndërkombëtarë apo brenda një shteti por larg nga vend i tij/saj, pavarësisht statusit legal; pavarësisht arsyeve/shkaqeve për lëvizjen; ose gjatësinë e qëndrimit në një destinacion të caktuar”. Departamenti i Çështjeve Ekonomike dhe Sociale i Kombeve të Bashkuara llogaritë si “migrantë ndërkombëtarë” njerëzit që jetojnë në një shtet të jashtëm nga vendi ku kanë lindur ose nga vendi pasaportën e të cilit e mbajnë. OKB-ja rekomandon që secili i cili qëndron në një vend tjetër më shumë se tre muaj duhet të konsiderohet si një migrant ndërkombëtar.
Ronaldo, Winslet dhe Einstein sipas këtyre definicioneve janë të tillë. Ronaldo është një nënshtetas portugez që ka punuar në Angli e Spanjë për kohën më të madhe të karrierës së tij; Winslet, britanike, ka punuar dhe jetuar në ShBA poashtu për kohën më të madhe të karrierës së saj; Fituesi i Nobelit nga Gjermania Albert Einstein ka punuar në Universitetin e Princetonit për më shumë se 20 vjet dhe e ka marrë nënshtetësinë e ShBA-së më 1940.
OKB-ja vlerëson që janë përafërsisht 258 milionë migrantë ndërkombëtarë në botë – që përbëjnë 3,4%-shin e popullsisë botërore. Por ka më shumë të përfshirë në futboll, në aktrim dhe në akademi sesa përgjithësisht në botë. Njerëzit zakonisht nuk e lidhin migrimin me të pasurit dhe të famshmit, por të dhënat tregojnë tjetër gjë.
Analizat e mia të bazuara në statistikat e Fifa 2007 tregojnë se 55% e futbollistëve që janë active që kanë luajtur për një ekip kombëtar në vitin 201, luajnë për një klub jashtë vendit të tyre. Më shumë se 90% e lojtarëve të Kolumbisë, Belgjikës, Irlandës, Suedisë dhe Zvicrrës luajnë jashtë; 87% e kombëtares së Argjentinës dhe 83% e kombëtares së Brazilit i marrin paratë jashtë vendit nënshtetësinë e të cilit e mbajnë. Mesatarja është më e ulët për shumicën e ekipeve evropiane: 48% e spanjollëve, 38% e francezëve dhe gjermanëve, dhe 13% e italianëve janë de facto migrantë. Prej 100 futbollistëve më të mirë të vitit 2017, 72 janë emigrantë. Këto statistika madje as nuk përfshijnë futbollistët që janë lindur në një shtet të ndryshëm nga ai i cili janë rritur, e që më vonë e kanë arritur nënshtetësinë.
Duke kërkuar në të dhënat e të gjithë të nominuarëve për çmime për aktorët më të mire që nga viti 2000 gjeta se mesatarisht, 41% e atyre njerëzve të bukur e të talentuar ishin emigrantë. Ose ishin lindur jashtë vendit dhe kishin shkuar në Hollywood ose kishin punuar në ShBA për një periudhë të gjatë kohe. Të dyja këto i bëjnë këta emigrantë. Ka më shumë emigrante gra në ShBA se burra: 45% e të nominuarave gra ishin lindur jashtë ShBA-së ose që mbajnë pasaporta joamerikane krahasuar me 33% të burrave. Shumica prej tyre mund të jenë nga Britania, Australia ose Kanadaja, por kjo sepse shumica e aktorëve ‘të huaj’ e kanë anglishten gjuhë amë.
Bazuar në analizën e të gjithë laureatëve të çmimit Nobel prej vitit 1901, del se 29% e të gjithë të nominuarve për Nobel në disiplina të ndryshme ishin emigrantë. “Emigrant” në këtë rast nënkupton që ata ishin nominuar për punën e tyre në një institute që ishte jashtë vendit të tyre të lindjes [pavarësisht ndryshimit të kufijve]. Përqindja varion nga koha në kohë mes 0%, për shembull, më 1922, 1965 dhe 1976 dhe 75% më 1957 dhe 1971. Nuk duket se ka ndonjë ngritje apo zbritje të qartë të përqindjes.
E megjithë këtë sukses të jashtëzakonshëm të emigrantëve, armiqësia ndaj tyre mbetet. Ipsos Mori tregoi se, në shumicën e vendeve perëndimore, njerëzit e mbivlerësojnë numrin e emigrantëve që jetojnë në vendit e tyre. Këto të dhëna tregojnë se ne mund të kemi madje edhe një ide të shtrembër për atë se kush është në të vërtetë emigrantë, ose se çka sjellin ata me vete. Perceptimi ka rëndësi. Ata mund të afektojnë atitudën e përgjithshme ndaj politikave të emigracionit dhe të diktojnë zgjedhjet.
Ndoshta shumçka që është gabim me mënyrën sesi e mendojmë emigracionin reflektohet në pyetjen se pse ne nuk i mendojmë njerëzit e suksesshëm, të pasur, të mençur e të bukur si emigrantë. 258 milionë emigrantë ndërkombëtarë që OKB-ja i vlerëson si emigrantë janë nga fusha të ndryshme: futboll, aktrim, laureate të Nobelit, por poashtu janë infermierë, fermerë, mekanizma, gatues, ndërmarrës – dhe të gjithë meritojnë të vlerësohen. /Guardian/Periskopi