Kur Adem Grabovci e akuzonte Ramush Haradinajn për kazinotë e pasurinë milionëshe
Publicisti dhe gazetari, Enver Robelli, ka publikuar një letër, të cilën dikur ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grobvci ia kishte shkruar liderit të AAK’së, Ramush Haradinajt, me titull “Ke uzurpuar dhe ke përvetuësuar në emër të luftës”, shkruan Periskopi.
Robelli këtë letër, e cila është shkruar më 21 qershor të vitit 2009, e ka bërë publike në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
Robelli vendosi për publikimin e kësaj letre, një javë pas koalicionit mes PDK’së me AAK’në dhe Nismën. Tanimë, Grabovci dhe Haradinaj janë në një koalicion, që po identifikohet si ‘koalicioni i komandantëve’, transmeton Periskopi.
Ky është publikimi i plotë i Robellit:
NGA ARKIVI – 21 QERSHOR 2009
Letër e hapur Ramush Haradinajt: Ke uzurpuar dhe ke përvetësuar në emër të luftës
Nga Adem GRABOVCI
Ndërtimi i shtetit, demokracia dhe interesi publik janë sinonime sublime të çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Jemi në fazën e njohjeve të fuqishme ndërkombëtare si shtet i pavarur, anëtarësimit në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe së shpejti në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në fazën e rritjes ekonomike dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Me sa duket disa si ti nuk i gëzohen këtij suksesi. Sot kur e gjithë bota po na shikon, me të detyruar po të drejtohem me këtë letër publike.
Ditëve të fundit Ramush Haradinaj zgjodhe rrugën e sulmit, shantazhit ndaj personalitetit tim duke tentuar të më njëllosësh, të më kërcënosh, të më shantazhosh dhe të më linçosh. Sulmet pa fakte aq më tepër kur vijnë nga njerëzit si ti që janë sinonim i anës së errët politike, frikës, kërcënimit, zhvatjes dhe reketimit të qytetarëve dhe bizneseve kanë një qëllim: fshehjen e së vërtetës dhe nxitjen e dhunës dhe urrejtjes. Për 3 dekada jam munduar dhe kam punuar me tërë qenien time. Jam i sinqertë dhe i përkushtuar të punoj për të mirën e vendit dhe popullit tim.
Për 10 vjet kam qenë i detyruar të migroj në Zvicër. Gjatë kësaj kohe kam punuar dhe vazhdoj të punoj çdo ditë. Pasuria ime është 1 banesë në Prishtinë 76 m2 dhe pasuria e vjetër e trashëguar nga babai im ku jetojnë fëmijët e vëllait tim të rënë në luftë në maj të vitit 1999. Ndërsa, Ramushi tenton të më njëllos edhe në këtë fushë, unë, Adem Grabovci, për hir të së vërtetës dhe interesit publik i bëj thirrje Ramushit të bëhet burrë dhe të ballafaqohet në debat publik drejtpërsëdrejti për të qartësuar të gjitha çështjet e ngritura dhe ato që do t’i ngris:
- Kush e ka dëmtuar imazhin e UÇK-së pas luftës duke bërë kërkesa, kërcënime dhe nxjerrë fitime për interesa personale?
- Ramush, prej nga e arrite pasurinë marramendëse personale?
– shtëpinë disamilionëshe në Prishtinë,
– banesën dykatëshe në Prishtinë,
– banesën në Prizren,
– banesën në Tiranë,
– banesën në Durrës,
– villat në Durrës, në Brezovicë,
– pronat disamilionëshe në Dukagjin,
– tokat në Miradi,
– kullat disamilionëshe në Glloxhan,
– dy villa jashtë shtetit, në Monte Karlo dhe në Dubai.
Duhet t’i dëshmosh pronësitë e tyre në detale.
- Ramush, ke uzurpuar dhe ke përvetësuar në emër të luftës:
– shtëpinë në Pejë
– banesën në Prizren
– truallin e çerdhes së fëmijëve në Dragodan
– pompat e benzinës dhe shumë të tjera.
- Ramush, ti personalisht kontrollon lojërat e fatit dhe bizneset e Casino-s!
- Reketi dhe zhvatja e bizneseve lidhet me emrin tuaj. Keni përmendur ndihmën e bizneseve vendore. Dokumento qoftë edhe një donacion të evidencuar në këto firma pranë Administratës Tatimore të Kosovës për 10 vitet e pasluftës në Kosovë (hiq fondin tuaj për Hagë).
- Me fondin tuaj për mbrojtje keni blerë toka e troje për qëllime personale. A është e drejtë kjo?
- Jeni involvuar në kontrabandim mallrash që vijnë nga Serbia në veri të Kosovës dhe në shumë shtete të tjera.
Ka edhe shumë çështje të tjera që dëshiroj t’i diskutojmë në debat drejpërsëdrejti me ju dhe që janë me interes publik. Keni ngritur akuza ndaj meje. Unë ju ftoj në debat qytetar. Nëse ju nuk përgjigjeni unë i rikonsideroj akuzat tuaja qyqarllëk, kurse opinioni publik le të gjykojë vetë për fenomenin Ramush. Personalisht do të pres deri në fund të javës, pastaj çdo akuzë apo shpifje tuajen, për hir të interesit qytetar, nuk nuk do të merrem me to. Pas kësaj kohe do t’i drejtohem organeve të drejtësisë.
Adem Grabovci, zëvendësministër i Transportit dhe Postë – Telekomunikacionit dhe kryetar i Degës së PDK-së në Pejë