Kupchan nuk përjashton përshkallëzim të tensioneve në veri: Kemi parë që edhe KFOR-i ka rritur nivelin e forcave
Ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan nuk ka përjashtuar shpërthime dhune pas veprimeve të fundit nga Qeveria e Kosovës në veri.
Dje, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai tha se KFOR-i tashmë ka rritur nivelin e forcave, duke iu referuar trupave që qëndrojnë mes Urës së Ibrit.
“Ne kemi parë tashmë shpërthime dhune. Nuk besoj se po shkojmë drejt një dhune të madhe, por nuk përjashtohet. Kemi parë që edhe KFOR-i e ka rritur nivelin e forcave. Ditëve të fundit, kam parë fotografi të trupave që qëndrojnë mes urës së Ibrit. Supozoj se mund të jenë shqetësuar për kalimin e mundshëm të aktivistëve, që do të përpiqeshin të nxisnin telashe. Është një moment i tensionuar dhe për mua kjo është një nga arsyet përse komuniteti ndërkombëtar e ka ngritur nivelin e vigjilencës”, tha ai.