Kundërthëniet në fjalimin dorëheqës të Visar Ymerit

Kundërthëniet në fjalimin dorëheqës të Visar Ymerit

Sot dha dorëheqje kryetari i deritashëm i Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Në një fjalim të shkurtër por domethënës, ai u shpreh i pakënaqur me zhvillimet e fundit në subjektin politik që e drejtonte. Por në fjalimin e tij kishte disa kundërthënie.

Ai sërish nuk ka ngurruar të thotë që “idetë duhet të jenë mbi individin” duke e sulmuar kësisoj themeluesin e partisë, Albin Kurtin. Visar Ymeri ka sulmuar më tej një grup anonim njerëzish që duke u thirrur në emër të Albinit [Kurtit] kanë bërë fushatë linçuese e shpifëse ndaj disa njerëzve tjerë, poashtu anonimë. Ymeri tha se problemet do të duhej të zgjidheshin në organet e Lëvizjes, e jo përmes një metode që ai e quan informale.

Por, të ndalemi në këtë pikë.

Kryetari i dorëhequr i VV-së tha se ishin tri shtylla në thelb të organizimit politik të subjektit që e drejtonte: 1) besnikëria ndaj konceptit politik; 2) besimi i ndërsjellë mes aktivistëve; 3) vetëmohimi. Një thelb i tillë është mjaft problematik sepse e ravijëzon një mënyrë funksionimi tejet personale, informale në vetvete duke krijuar hapësira të mëdha për keqpërdorime. Shihni ‘shtyllën’ e dytë: besimin e ndërsjellë mes aktivistëve. Si mund të jetë shtyllë e një thelbi të organizimit politik, një ndjesi?! Kjo ndoshta është një lajthitje e tij, duke qenë se ai vetëm pas disa sekondash sulmoi informalitetin e metodës duke harruar që edhe këto shtylla që i mbronte, bazoheshin poashtu te karakteri i personave të ndryshëm, dhe te informaliteti.

Por një tjetër kundërthënie që mund të zbulojë shumçka vihet re në fjalët e mëpastajme. Në fillim ai sulmoi ata njerëz që bënin një “fushatë sistematike të shpifjeve, insinuatave, linçimeve e etiketimeve”. Por disa rreshta më poshtë, ai thotë që një metodë dhe një fushatë e tillë “është e panevojshme sepse Lëvizja i ka organet e veta edhe disiplinore të cilat kanë potencialin dhe vullnetin për ta mbrojtur secilin prej aktivistëve nga cenimi i integritetit, dhe për ta mbrojtur organizatën nga ata që duan ta dëmtojnë.”

Nëse Lëvizja mund të mbronte përmes aparaturës në dispozicion aktivistët, atëherë pse u arrit në këtë pikë? Por, këtu shpaloset edhe diçka tjetër.

Lexuesit e kujdesshëm mund të kuptojnë nga rreshtat e mësipërm se Ymeri po nënkupton që njerëzit të cilët u thirrën në emrin e Albinit, e të cilët po bëjnë shpifje e insinuata, në fakt ishin duke e mbrojtur dikënd përmes asaj metode. Pra, vetë Visar Ymeri me gojën e tij nënkuptoi qartë se objektivi i sulmit të këtyre njerëzve ishin ata që paraprakisht kishin sulmuar. Duke thënë në fund se një gjë të tillë mund ta bënin edhe organet disiplinore brenda Lëvizjes. Pra, problemi del të jetë më i thellë. Fushata e shpifjeve e linçimeve, del të jetë më e hershme. Dhe shënjestra fillestare e këtyre sulmeve, duket se nuk ishte “Aida Dërguti e Dardan Molliqaj” por pikërisht pjesëtarët e grupit tjetër, nëmos vetë deputeti Albin Kurti.

Ndërkohë që, në pjesën e parafundit të fjalimit të tij, Ymeri shpreh një tjetër pohim që mund të jetë dritëhedhës në krizën e terrtë nëpër të cilën po kalon Vetëvendosje. Ai tha “natyrisht që njerëzit e angazhuar edhe gabojnë”, duke shtuar më tej se gabimet duhet të trajtohen, por jo t’iu mvishet dyshimi për motivet. Kësisoj, ne pakashumë mësojmë që dikush në Vetëvendosje ka bërë një gabim të rëndë, e i cili, ka qenë me shumë gjasë, një shpifje ose linçim ndaj themeluesit të partisë, Albin Kurtit.

Por edhe këtu mund të shtrohet pyetja? Çka do të ndodhte, në rast se ata njerëz të cilët i sulmon Visar Ymeri, nuk do të përdornin metodën e tyre informale? Kush do ta pësonte nga gabimi që Ymeri thotë se duhej të trajtohej, e të mos i gjurmoheshin motivet? Dhe në tjetrën anë, kush do të forcohej? A do të kishin organet disiplinore të Vetëvendosjes, mundësi që të ruanin integritetin e aktivistëve? Zor e besueshme nëse konsiderojmë ato që dolën në dritë muajin e kaluar. Dhe zor e besueshme që linçimi kufizohet vetëm në një pjesë të këtij subjekti politik, duke qenë se shtylla e dytë e thelbit të organizimit politik, thuhet të jetë ‘besimi i ndërsjellë’. Homo homini lupus est – thoshte Hobbesi, që e përkthyer në shqip i bjen “Njeriu për njeriun është ujk”. Besimi se ideja duhet të jetë përmbi ‘individin’ ose ‘babën’, bazohet pikërisht në këtë postulat. Nëse njerëzit do të ishin të mirë e të besueshëm, pse do të duhej që t’i nënshtroheshin idesë?

Ndërsa, kur flitet për shtyllën e tretë të ‘thelbit’ të organizimit politik, vetëmohimin, duhet t’i mbyllim goxha fort veshët. Pagat, funksionet, fama shpërndahen ashtu si në partitë tjera politike – dhe është e kuptueshme që këto e pamundësojnë në themel një angazhim të pastër vetëmohues.

Shpërndaje në: