Kundërthënia Haradinaj

Kundërthënia Haradinaj

Ka një kundërthënie të pazgjidhshme, besoj, në ligjërimin që kandidati për kryeministër nga radhët e PAN-it, Ramush Haradinaj, përdor në raport me kandidatin tjetër nga radhët e Lëvizjes Vetevendosje!, Albin Kurti.

Në njërën anë, ta zëmë, kur gazetarët e pyesin për qeverinë e tij të korruptuar në kohën para se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të fitonte zgjedhjet në fund të vitit 2007, ai rëndom shfajësohet duke thënë: “Po mua, siç e dini, nuk më ka rënë të qeveris me vendin, sepse më është dashur të dorëhiqem për shkak të akuzës së Tribunalit të Hagës. Cka do të thotë se unë kam menaxhuar me vendin më pak se njëqind ditë.”

Mirëpo, nga ana tjetër, kur gazetarët e pyesin se pse ai dhe, jo zoti Kurti, është kandidat më i duhur për kryeministër të vendit, ai përgjigjet lumturisht: “Po unë kam përvojë në qeverisje, kurse Albini nuk ka fare, fare, fare!”

Ama, kur është në pyetje qeverisja e AAK-së gjatë vitit 2004-2007, ai thotë që nuk mund t’i marrë gjynahet e të tjerëve; meqë atij nuk i ka ra “barra e udhëheqjes” (Orwelli), si mund ta përdor të njëjtën periudhë kohore si përparësi krahasuese me kandidatin më legjitim për kryeministër të vendit, zotin Kurti?!

Mbase do të ishte mirë që, ndonjë gazetar i hairit, ta pyes zotin Haradinajn për cfarë e ka fjalën kur ai e përmend përvojën e tij kundrejt zotit Kurti: a) për përvojën në korrupsion e krim të organizuar të Partisë së tij, apo b) për këtë periudhën 100 ditëshe që ai vazhdimisht krekoset?

Në qoftë se ka fjalën për të parën – pra, për periudhën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo e bën menjëmend atë kandidat (më) të kualifikuar në korrupsion e krim të organizuar, por jo për të qeverisur një popull të tërë që i ka ardhur laku tek fyti pikërisht nga këto gjëra.

Ndërkaq, nëse e ka fjalën për të dytën – pra, për periudhën e tij 100 ditëshe, atëherë kjo nuk llogaritet përvojë pune, por thjesht periudhë parapërgatitore, apo, sic njihet ndryshe, periudhë trajnuese.

Si duket, duke dashur të jetë konsistent vetëm në një gjë: dëshirën për t’u bërë kryeministër, ai po harron se duhet të jetë konsistent edhe në gjëra të tjera.

Shkroi: Armend Mazreku

 

Shpërndaje në: