Kumari si droga, psikologët: Krijon varësi
Besarda Taçi është psikologe klinike. Prej 5 vjetësh ka punuar në shërbimin e toksikologjisë dhe varësive në Piemonte të Italisë, ndërsa prej dy vjetësh drejton një qendër për shërbime psikologjike.
“Në Shqipëri ekziston multivarësia, pra nuk ka më individë që vijnë ekskluzivisht për varësinë. Ka persona që kanë varësi nga kokaina, alkooli dhe lojërat e fatit”, thotë ajo.
Psikologia trajton aktualisht 8 individë nga mosha 18 deri në 50 vjeç.
“Kam studentë që vijnë nga qytete të tjera dhe pridërit i kanë mundësitë ekonomike. Këta studentë nuk shkojnë nëër universitete, por mbyllen në kazino e Tiranës, ose individë që kanë pasur një biznes dhe e kanë humbur, ose individë që nën ndikimin e lëndëve narkotike humbasin gjithçka”, shton psikologia.
Besarda thotë se ndikimi që lojërat e fatit kanë në tru është i njëjtë me atë që shkakton droga.
“Depresioni i tyre është në nivele të larta, saqë nuk arrijnë dot më që të gjejnë një punë, të kujdesen për familjen dhe fëmijët e tyre. Pra janë persona që shprehen se kanë humbur çdo shpresë nga jeta”, vijon ajo.
Cili është identikiti i një personi të varur nga lojërat e fatit?
“Harron që ka familje, harron të ushqehet dhe nuk e ka më kontaktin ditën me natën. E gjithë jeta e tij përmbyllet në një vend ku ofrohen lojërat e fatit. Jetojnë nën trysni të madhe sociale e mendojnë edhe vetëvrasjen”, deklaron psikologia Taçi.
Varësia nga lojërat e fatit është një varësi pa substanca. Asgjë nuk është rastësi te lojërat e fatit.
“Makinetat që kanë shumë ngjyra, tinguj të përsëritshëm, ngjyra të forta, tinguj që krijon ndjesinë e nevojës, janë të gjitha të menduara për të krijuar një varësi tek truri i individit”, shprehet Besarda.
Psikologët thonë se varësia nga lojërat e fatit është patologji e sistemit familjar.
“Kërkesa e parë për ndihmë nuk vjen nga individët, por vjen nga familjarët. Është shumë e vështirë që një person që ka varësi nga lojërat e fatit të kuptojë që është i varur prej tyre”, shton psikologia.
Ajo sjell shembullin e kryetarit të Bashkisë së Isola D’asti në Itali i cili sa mori detyrën, duke qenë me profesion psikolog ndërmori një veprim drastik për lojërat e fatit.
“Vendosi që të mos ekzistojë asnjë makineri lojërash fati në një distancë prej 20 kilometra nga qyteti. Kjo do të thotë që individi duhet ta kërkojë, jo e kundërta që shteti ta ofron poshtë tek lagjja. Prania e makinerive është një tregues që shteti nuk po ruan shëndetin e individëve”, përfundon ajo.