Kufizim dhe konsensus, me zor!

Kufizim dhe konsensus, me zor!

Në korrik të vitit të kaluar, Partia Socialdemokrate, u kërkoi dy partive opozitare bashkëpunim serioz në lidhje me procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Konkretisht, thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme për miratimin e një rezolute në lidhje me për caktimin e përgjegjësive institucionale në këtë proces. U refuzuam, nuk morëm as përgjigje! Preokupimi kryesor opozitar për mungesë të ekspertizës profesionale dhe qartësisë politike, për ngecjet e vazhdueshme, për mungesë të transparencës, u përkthy në refuzim total, të pa arsyeshëm!

Çfarë kërkuam? E tregon titulli i këtij shkrimi! Kufizim dhe konsensus, me zor! Dialog nën kontroll dhe përgjegjësi të Kuvendit!

Së pari, me shumicë të nevojshme, propozuam që Kuvendit t’i caktohej përgjegjësia finale për mbarëvajtjen e procesit të dialogut, si organi më i lartë legjislativ e vendimmarrës. Nuk kishte ndodhë më parë, po ndodhte me PSD-në!

Së dyti, një proces i mirë-përgatitur, përcaktim i qartë i roleve dhe përgjegjësisë institucionale, bashkërendim i veprimeve dhe vendimeve përmes të cilave do të mbrohej sovraniteti, integriteti territorial e institucional i Republikës së Kosovës, interesave shtetërore, rendi kushtetues dhe karakteri unitar i saj, nuk mund të bëhej pa një konsensus gjithë partiak. Këtë e kërkuam ne. Votim të kualifikuar! Dy të tretat!

Së treti, propozuam që Platformën Shtetërore, ta miratojmë me dy të tretat enumrit të përgjithshëm të deputetëve. Parime themeltare dhe pozicione shtetërore me konsensus! Me pajtim të të gjitha partive politike! Me 80 vota PËR!

Se katërti, bartësi dhe bartësit e dialogut, do të miratoheshin me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, e Kuvendi ruante të drejtën e shkarkimit të bartësit dhe bartësve kurdo që vlerëson se janë shkelur parimet themeltare të Platformës dhe kur procesi rrezikon të dalë jashtë kornizave të saj.

Dhe së pesti dhe e fundit, do të krijohej një komision i veçantë parlamentar për monitorimin e këtij procesi. Transparencë totale me pjesëmarrje edhe të Shoqërisë Civile.

Nuk u bë me opozitën, u bë me partitë politike në pushtet, një Rezolutë tjetër, me shumicë të nevojshme! Kjo ishte mundësia!

Kur u miratua Rezoluta në dhjetor të vitit të kaluar, ndër parimet kryesore ishtë ruajtja e integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës, duke u mbrojtë interesat strategjike të Republikës sonë. Po ashtu kjo rezolute theksonte qartë se derivat i saj do të ishte miratimi i mëvonshëm i një ligji, i cili do të ketë fuqi të vendimmarrjes me konsensus dhe kufizime të qarta në këtë proces.

Tash, t’i kthehem, shumë shkurt Ligjit të shpallur papajtueshëm më Kushtetutën.

Së pari, nuk do të kishte iniciativë për këtë projektligj, nëse nuk do të ishte ky raport aktual i forcave politike në Kuvend. Pa-fuqia e koalicionit qeverisës e mundësoi këtë raport! Sikur të ishte raport tjetër, as që do të ishim pyetur! E shfrytëzuam ne, nuk e shfrytëzoi as LDK e as LV!

Së dyti, kur u shkrua projektligji, Partia Socialdemokrate e kishte të qartë se nuk do të hynte në një proces pa kompetenca. Nëse këto nuk janë, për çfarë nevoje të bëhemi pjesë e fiskulturave të institucioneve të tjera?

Së treti, ligji ishte në tërësi procedurë e veçantë, pra special. Ai rregullonte funksionimin e Delegacionit Shtetëror duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë e tij. Në këtë drejtim ligji, definonte  qartë edhe ndërlidhjen që Delegacioni do të mbante me institucionet tjera kushtetuese. Delegacioni do të ishte entiteti i vetëm i autorizuar për negociim dhe arritje të marrëveshjeve gjatë procesit të dialogut.

Së katërti, pjesa më e rëndësishme, kufizim dhe konsensus! Roli i Kryeministrit dhe i Presidentit në procesin e dialogut ishte i kufizuar përmbajtësisht dhe proceduralisht.  Vendimmarrje konsensuale, nëse jo, vendimmarrje me shumicë të kualifikuar! Me dy të tretat! Bashkërendim, bashkëdrejton, bashkë-përfaqëson, bashkë-miraton dhe raporton në Kuvend. Ky ishte delegacioni. Ndërsa, Gjykata Kushtetuese, asgjë s’ka thënë më shumë se ajo që është e vendosur në themel të kushtetutës. Këtë e dinim ne! Ajo që dihet, kushtetuetshmëria asnjëherë nuk ka qenë proces që ka qëndruar statik përherë. Ajo që dihet, procesi i dialogut është kthyer në pikën zero!

Naim Jakaj

Këshilltar i Nënkryetares së Kuvendit

 

 

Shpërndaje në: