Kufiri në Çakorr na shfaqet në të gjitha hartat e rëndësishme që pas Luftës së Dytë Botërore deri në kohën e sotme

Kufiri në Çakorr na shfaqet në të gjitha hartat e rëndësishme që pas Luftës së Dytë Botërore deri në kohën e sotme

Këtij grupi të kundërshtarëve të kufijve AVNOJ-anë dhe të shndërrimit të Jugosllavisë në konfederatë i takon edhe Kisha Ortodokse Serbe. Në kumtesën nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kishës Ortodokse Serbe (16 – 17 janar 1992) ky forum thoshte se populli serb është që gjysmë shekulli “politikisht i grimcuar dhe ndarë me kufij jo natyror … të cilët i ka planifikuar Internacionalja komuniste, realizuar okupimi neofashist dhe ustash, përforcuar dhe vazhduar – në kundërshtim me vullnetin e popullit serb – diktatura komuniste e Titos, nëpërmjet të AVNOJ-it shprehimisht antiserb.” “Për këtë arsye, as Kisha Ortodokse Serbe, as populli serb kurrë nuk kanë pranuar kufijtë e brendshëm, artificialë dhe jo legjitim “AVNOJ-anë” të vendosur, pa bazë historike dhe etnike, me vullnetin e lirë të gueriles komuniste në kushtet e okupimit dhe luftës civile.” (Helsinski odbor za ljudska prava u Srbiji, Kovanje antijugoslovenske zavere Knjiga 1, Beograd, 2006, str.271-272).

Një autor tjetër në qershor të vitit 1991 pyetjes “Kush ka kufij” i përgjigjej: “Nuk ka kufij historikë te popujt jugosllavë, ka vetëm disa shtete sovrane nga shekulli XIX dhe fillimi i shekullit XX”. Sipas tij Maqedonija nuk ka kurrfarë kufij historikë … Sllovenia nuk ka kufij historikë, e Bosnja e Hercegovina ka kufij historikë, por këta nuk janë të saj – të popullit të Bosnjë e Hercegovinës – por kufijtë midis Perandorisë Otomane dhe Austrisë së Habzburgëve”. Lidhur me Kosovën që për ne është e interesit të veçantë, ky autor pohonte “Kosova nuk kishte pasur kurrë kufij deri më 1945, respektivisht 1946” dhe shpjegonte se prej atëherë kufiri maqedon, edhe kosovar, edhe slloven mund të konsiderohen “administrativ” kurse ai i Republikës së Kroacisë nga viti 1946, edhe më shumë se administrativ. (Desimir Tosic, Stvarnost protiv zabluda (Realiteti kundër lajthitjeve), Beograd, 2006 str. 183-184). Kaq për kohën kur janë përcaktuar kufijtë midis njësive të federatës jugosllave.

Në dritën e këtyre shpjegimeve lehtë kuptohen kundërshtarët e kufijve AVNOJ-anë, por nuk mund të kuptohet pse disa shqiptarë janë reshtuar në një vijë me nacionalistët dhe shovenistët reakcionarë të dy popujve fqinjë që i karakterizon anti-shqiptarizmi, anti-boshnjakizmi, anti-kroatizmi, anti-komunizmi, anti-muslimanizmi, anti-katolicizmi dhe që avokojnë dofarë kufij të shpikur në dëmin tonë.

Për mua personalisht, Komisioni i ka tejkaluar kompetencat e veta siç definohen me të drejtën ndërkombëtare, dhe në vend të shënimit të kufirit (që është thjesht punë teknike) ka përcaktuar një kufi të ri i cili është 5-6 kilometra larg vijës së njohur kufitare me çka dëmtohet rëndë Kosova. Fatkeqësisht, të kundërtën e kësaj e thotë kryeministri i Kosovës, sipas të cilit Komisioni e ka shënuar kufirin aty ku është dhe s’ka qenë në mandatin e tij të caktojë kufij të rinj, që dmth. se Kosova nuk humb asnjë metër toke të saj. Ajo ku ne nuk pajtohemi është fakti se: ku ka qenë kufiri? Natyrisht, derisa unë (dhe jo vetëm unë) përgjigjen në këtë pyetje e kërkojmë në vitin 1945-1946 (Komisioni i Gjillasit) dhe hartat të cilat nuk mund t’i vë në dyshim ose t’i kontestojë kushdo qoftë, midis të cilave ka edhe harta të Malit të Zi që i kanë autorizuar organet malaziase, Komisioni ynë na tregon do vija kadastrale që tregojnë pronarët e tokave që janë pjesërisht persona të së drejtës private (individë ose shoqata) e pjesërisht persona të së drejtës publike (shteti, bashkësitë lokale), që s’ka të bëjë me sovranitetin territorial, një diçka që fare nuk është llogaritur relevante në kohën kur janë bërë ndarjet midis republikave dhe popujve të ish-Jugollavisë. Dhe për ta ilustruar këtë mjafton të theksohet se Qeveria e RFPJ më 16 maj 1946 u kishte dërguar letër cirkulare të gjitha qeverive të republikave popullore që sa më parë të paraqesin propozimet për ndryshimin e përkufizimeve me arsyetimet detaje nga pikëpamja e përbërjes nacionale, lidhjeve ekonomike me territoret tjera dhe motivet pse kërkohet ndryshimi. Pas kësaj, me shkresën e datës 26.IX.1946 njoftohej Kryesia e Qeverisë së Republikës Popullore të Malit të Zi se kishin arritur “propozimet konkrete për disa ndryshime territoriale në kufirin midis … Malit të Zi dhe Provincës Autonome të Kosmetit”. Në shkresë shkruante tekstualisht: “Duke mos u lëshuar në anën juridike të këtij kontesti rreth të drejtave të pronësisë dhe të drejtës së shfrytëzimit të pyllit të përmendur, konstatojmë se edhe këtu duhet përcaktuar vijën kufitare. Ju dërgojmë propozimet e mësipërme të … dhe provincës së Kosmetit, që për këtë të jepni mendimin dhe kundërpropozimet tuaja, në mënyrë që të mund t’i hyhet zgjidhjes së problemit të përkufizimit midis republikave popullore të caktuara.” Kështu, qysh na serviret tashti, Kosova e paska transferuar sovranitetin mbi Bjelluhën, kur Shoqëria Alpiniste “Gjeravica” e Pejës ia ka shitur dikujt në Plavë Shtëpinë e Alpinistave në Bjelluhë (afërsisht në vitin 1961). Por kështu as nuk përcaktohen kufijtë, as nuk ndryshohen kufijtë. Mjafton të shihet kufiri Holandë – Belgjikë që në disa segmente ndan rrugët, lokalet ose shtëpitë, ose kufiri Finlandë – Suedi që kalon përmes disa shtëpive. Këso raste ka edhe në hapësirën e shteteve trashëgimtare të ish-Jugosllavisë.

Duke u nisur nga këto unë mendoj se Komisioni i ynë ka shkelur procedurat elementare për përcaktimin e kufirit. Sipas rregullave të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare që mund të lexohen gati në çdo tekst të së drejtës ndërkombëtare, Komisioni i demarkacionit duhet të bëjë shënimin e kufirit duke vënë shenjat kufitare (shtyllat, gurët, piramidat ose ndonjë shenjë tjetër), por duke iu përmbajtur delimitacionit të bërë diku më parë, i cili shprehet me fjalë (tekst) dhe harta ku vijëzohet vija kufitare. Ky rregull mund të mos përfillet vetëm nëse Komisioni ka autorizim të veçantë për këtë dhe nëse e ndryshon vijën kufitare në masë të pakonsiderueshme. Kështu p.sh. Jugosllavia dhe Italia, me rastin e përcaktimit të kufirit pas Luftës së Dytë Botërore, e kanë autorizuar Komisionin që mund t’i shmanget vijës së përcaktuar në tekst dhe në harta për maksimalisht 500 metra, nëse një gjë të tillë e arsyetojnë rrethanat vendore. Dhe me kaq çdo gjë përfundon.

Kufiri Kosovë-Mali i Zi sipas Gjillasit është lënë në Çakorr. Dhe ky kufi është kufi historik, kufi natyror, kufi strategjik, kufi hidrologjik, kufi ekonomik e social etj. Kufiri në Çakorr na shfaqet në të gjitha hartat e rëndësishme që pas Luftës së Dytë Botërore deri në kohën e sotme, e madje edhe në hartën e Kosovës, të përgatitur nga Kryetari i Komisionit tonë. Mjafton këtu të përmenden hartat e përgatitura nga Instituti ushtarak gjeografik, por edhe harta e vetë Malit të Zi, të cilat janë të autorizuara nga organet shtetërore të Malit të Zi. Pse atëherë janë bërë shmangie nga këto dhe është aplikuar një kriter dubioz i ndarjes që nuk figuron në asnjë tekst të së drejtës ndërkombëtare si kriter bazë për përcaktimin e kufijve dhe që ka ndryshuar vijën kufitare për 5-6 kilometra në sektorin e Çakorit dhe të Kullës, pra dy pikave më të rëndësishme që e ndajnë Kosovën me Malin e Zi?

Këto fakte çdo kund tjetër do ta shtynin Qeverinë ta shkarkojë Komisionin dhe të distancohet nga puna e tij, e jo ta mbrojë dhe lavdëroj punën e tij. Por, këta pushtetarë, në vend se të na tregojnë ku është vija kufitare duke i shikuar hartat, madje edhe ato të Malit të Zi, neve na tregojnë sa kilometra ka Kosova, dhe provojnë të na bindin se ne asgjë nuk humbim, me çka provohet të arsyetohet jo vetëm insufiçienca e profesionalizmit, por edhe mungesa e përgjegjësisë në kryerjen e punëve publike. Kjo ka qenë e mundshme vetëm falë faktit se as Komisioni e as Qeveria nuk kanë pasur platformë për punën që i ka pritur. Fatkeqësisht kjo te ne është fenomen kronik. Kështu, tashti është vërtetuar se anëtarët e Komisionit nuk kanë ditur cila është detyra e tyre siç përshkruhet në të drejtën ndërkombëtare, e as se demarkacioni nuk mund të bëhet duke u bazuar në kadastër, sepse ndarjet në këto hapësira janë bërë bazuar në disa kritere tjera. Kjo vlen edhe për ato të pas Luftës së Dytë Botërore, madje edhe për ato që janë pretenduar në fund të shekullit XX.

(Vazhdon)

Shpërndaje në: