Ku i pret sëpata e Donika Gërvallës?

Ku i pret sëpata e Donika Gërvallës?

Donika Gërvalla është aktivizuar sërish. Kësaj rradhe si vazhdimtare e denjë e asaj që ka mbetur nga shtofi mendësor i LDK-së: gjeokulturë e orientim. Në këtë mënyrë është LDK-ja ajo që akoma e flet Donikën mendësisht, pavarësisht që kjo flet e kritikon strukturat dhe drejtuesit e saj keqësisht. Zaten në LDK drejtuesit mund të ndërrojnë por drejtimi (i hamendësuar) jo.

Shkruan: Fatlum Sadiku

Së fundi kishte thënë që partia gjermane për të cilën LVV ka shprehur dozë simpatie – meqë ngjan të ketë me të afri ideologjike – na qenka e afërt me Vuçiqin e Putinin. Madje mund të them se nuk e di kush përpara, Donika apo kryeministri Haradinaj u ngutën t’i mëshojnë sforcimit të këtij pretendimi. Për të mos ripërsëritur gjëra, nuk do hyjë tek vistra e argumenteve që shtruan të tjerët mbi kontributin e të majtës (vendore dhe të huaj) në luftën e Kosovës, por po ndalem vetëm tek shenjuesit gjeokulturë e orientim.

Ka një disponim që prej kur ekziston LDK-ja, që veten ta shohin si njëfarë mbështjelle e djathtizmit shqiptar, përkatësisht si njëfarë pandani të rrugëtimit “perëndimor” të Kosovës. Pra e djathta dhe “Perëndimi” i hamendësuar (a janë Portugalia e Spanja perëndim për ta p.sh?) lidhen në një trajektore drejvizore, pa ndonjë mbështetje historike, por që është mu kjo trajektore e hamendësuar që bën se është histori e vazhdimësi. E deridjeshmja e ikur a në shuarje, amnezohet brenda nate në shërbim të njëfarë aktualizimi omnipotent të domosdosë së re politike e kulturore në të tashmën – që kondezohet si ftesë e si paravajtje drejt gjirit të së ardhmes. Kështu ishte me LDK-në kur më 1989 – urgjencën e së ardhmes, respektivisht  paravajtjen drejt gjirit të saj e replikoi me dorëzim librezash të së djeshmes, dhe shpalli se nga sot jemi të djathtë –  përkatësisht deklamoi (domosdonë e të qenit) perëndimor.

Djathtizmi këtu shenjon kulturën e hamendësuar politike që pjesshëm bajpasohet në një topos me hisori e strukturë sociale tërësisht të ndryshme prej ku origjinon djathtizmi europian. Bën kristiandemokratët e Merkelit, por s’bën ta zëmë fisnikëria franceze, anipse LDK-ja në këtë legjislaturë po ulen djathtas në Kuvend. Kurse “Perëndimi” këtu shenjon një gjeografi të ngrirë, të mpakur, të selektuar, dhe të ndjekshme vetëmpse mishërohet nga fuqia politike, ekonomike, kulturore. Pra kemi të bëjmë edhe me hamendësim të vazhdimësisë (historia e munguar me djathtizmit), edhe hamendësim të përkitjes me një gjeografi. Por mbi të gjitha edhe  me seleksionim si të djathtizmit si të gjeografisë me të cilët mendohet korrelacioni.

Thash dy here seleksionim sepse për e djathtë merret vetëm Merkeli që është gjallë, jo historia/tradita e djathtizmit europian. Pra lerë qe komplet historia e majtizmit EUROPIAN (e jo rus siç tentohet të krijohet përshtypja) retushohet dhe duke u injoruar damkoset, por për më tepër heshtet pikërisht i djathti Putin shteti i të cilit ka histori djathtizmi (kushtimisht) shumë më të gjatë se LDK-ja (djahtizmi rus shkon deri në shek. 19). “Perëndim” na i nxjerrin vetëm ato që janë FUQI politike/ekonomike  e së këndejmi faktorë vendimarrës (pra Portugalia s’është meqë s’është ndonjë faktor vendimtar). Shkurt fjala  brenda nate kemi edhe djathtizëm të sajuar e të selektuar, por edhe gjeografi /përkitje të sajuar e selektuar, indikime këto që vijnë nga hegjemonia e jashtme dhe kolonizimi i mendimit.  Krejt në fund kemi – esencializimin e fuqive politike/ekonomike të selektuara si të MIRA dhe të TË DREJTA. Pra ngjan jo historia e vazhdimësisë, por zaret e një optimumi të hamendësuar.

Kësodore kemi brumosjen e një teodiceje interesante: fuqitë politike/ekonomike me të cilat supozohet se kemi përkitje historike e gjeografike janë qartësisht të mira, të drejta, dhe të ndjekshme pikërisht pse janë aktualisht/në kohën kur ne jetojmë, faktorë/fuqi. Majtizmi që injorohet, është apriori i keq, i padrejtë dhe i pandjekshëm – dhe për më tej – oriental “rus” dhe “serb.  Por u mor vesh, as djathtizmi s’është i plotë meqë s’thirren në djathtizëm aristokratik e tradicional., por në atë kapitalist (pa e thënë këtë) e “perëndimor”. Tani ku ta rangojmë pragmatizmin a utilitarizmin e tillë do të mund të shtrohej si pyetje? Utilitarizmi dhe pragmatizmi janë motori i kapitalizmit nga i cilit është kapur mendësisht e fatkeqësisht – mpakur veprimtarisht LDK-ja.

Eh tani hyjmë në zonën ku paradoksi trashet edhe më shumë: LDK thirret në djathtizëm dhe e shigjeton majtizmin për të keq, jo duke pasur për referencë ndonjë taban të djathtë konzervator, por pikërisht duke pësuar nga motori ekonomik e materialist i së djathtës neoliberale të paktën që prej paslufte. Pra duke pësuar nga vetë orientimi i vet, që i han kokën. Këtu edhe duhet kërkuar shkaqet pse kjo pjesëtarë të kësaj partie/elektorati i saj priren kah nostalgjia. Sepse nostalgjia vije nga pafuqia e ndryshimit në të sotmen. Neoliberalizmi  ka bërë që LDK të jetë më e pazonja të notojë në ujërat e kapitalizmit se sa  partneri i deridjeshëm i koalicionit që ka rrënjë ilegale marksiste-leniniste!   Kjo është arsyeja pse p.sh. Ramiz Kelmendi edhe kur aderon në atë parti, aderimi i tij realisht s’është atashim mendësor a shpirtëror meqë LDK nuk pre-okupon e as s’pre-okupohet nga etika vepruese, por kandidim për të siguruar ndonjë post.

Mpakja nga mundësia e notimit në kapitalizmin kosovar, LDK-në e tërheq në lëvozhgën e saj, respektivisht në triadën: nostalgji, gjeokulturë e orientim. Flasin pë Rugovën po si të jetonte, piketojnë gjeografi e kultura, dhe i mëshojnë orientimit aksiologjik kah to. E kjo burgosje në ide regresive pa vullnet veprimi e potencialitet ndryshimi, bën vetëm një gjë: denjon të flasë. Por flitja e saj del të jetë edhe pafuqi e fjalës, pos e veprimit, sepse LDK vazhdon të mirret me opozitën. Shigjeton për të rrezikshme VV-në që përmes alibisë së skajshmërisë ideologjike dhe nga qesëndia e përballjes me ide progresive. LDK-së i konvenon që pshtjellimi vulgar i politikjes së shndrruar në tyxharllëk e privioi edhe njeherë VV-në nga formimi i qeverisë meqë nuk denjon të mirret me dashnorin e deridjeshëm.

Prandaj edhe sëpata e LDK-së s’pret në honin që u mbush rishmi nga dy ish parnterë të saj qëmoti tyxharë (mbase edhe për faktin se ishte vetë në atë hon), por tenton të pres andej honit. Bën që ka histori, pikërisht pse po kthehet në ahistorike: amnezia se çfarë të kaluar3 ka Isa Mustafa, amnezia më kë ishte vetë më 2007-2010 dhe më 2014-2017, amnezia që Putini e Vuçiqi në fakt janë të djathtë, amnezia që PDK u shpall e djathtë në një takim të vetëm etj. Bën që dijë të bëjë gjepolitikat e jashtme, e humbë gjeografitë (komunat) e brendshme. Bën që ka deri edhe orientim të jashtëm (kah djathtizmi gjerman), pikërisht duke neutralizuar mundësitë e orientimeve të reja në kuadrin e vet etj. Këtu edhe strumbullon skizofrenia e Gërvallës: sëpata e saj mundohet t’i pret kokën Mustafës, pa e nxjerrur jashtë qelbin mendësor të eutenazisë që e dominon partinë.

Shpërndaje në: