Ku është zhdukur Linda Morina?

Ku është zhdukur Linda Morina?

Kemi gabuar me Linda Morinën. Në vend se ta tallnim gjithë ditën, do të mund ta bënim lajm edhe në BBC e media tjera. Ashtu si ‘sivëllai’ i Lindës dikur, Ekrem Jevric.

Linda Morina është ‘fenomeni’ më i mirë se si ne, e sjellim në piedestalin e diskutimeve këdo, kurdo dhe e flakim tutje kur nuk na duhet. Kjo nuk ndodh vetëm me Linda Morinën, kështu rëndom ndodh me cfarëdo lloj fenomeni tjetër në vend. Korrupsioni, papunësia, edukimi jocilësor. Pra, Linda Morina, është mishërim i ‘fenomeneve’ tjera shoqërore të cilat neve s’na bëjnë përshtypje. I trajtojmë dhe i marrim për bazë vetëm kur na hyjnë në punë, aktualisht. Sot, për sot.

A ju kujtohet një kohë kur ju jeni zgjuar në mëngjes dhe lajmi i parë që keni lexuar është paraqitja e fundit e Linda Morinës në një emision? Kur një komb merrej me Lindën. Tallnim trapin i madh e i vogël, me Lindën. Ajo ishte një vajzë e pa sherr, e cila me zërin e saj të ç’akorduar me cdo lloj note muzikore, bënte ‘ditën tonë mediale’. Me muzikalitetin e saj që s’bënte ndonjë balancë normal mes zërit e asaj çiftelisë, Linda arriti të futej në cdo skenë, të pushtojë çdo emision të mundshëm show bizzi. Nuk ishte më habi nëse Lindën e shihje përballë të të ashtuquajturve ‘yje shou bizzi’. Ata, madje ta krijonin përshtypjen se s’kishin mjaft famë, por donin edhe pak ta rrisnin me Lindën.

Lindën e përqeshte një komb. Në njërën anë, nuk hezitonim ta thërrisnim në emisionet tona kualitative të shou bizzit e në anën tjetër, as nuk e fusnim kokën nën tavolinë të qeshnim me të thënat e Lindës. E bënim ashiqare. Në sy të saj. Vetëm Linda nuk na kuptonte se si një komb qeshte me të. Ajo e kishte ndoshta ndonjë dreq ideje se po na pëlqente. Ajo nuk e kishte ndoshta idenë se ne vetëm po talleshim me të.

Si u bë e mundur që e pranuam këtë fenomen muzikor, e shfrytëzuam dhe e flakëm tutje?

Kështu veprojmë rëndom ndaj çdo lloj teme që kemi përballë.

Linda është një fenomen me koherencën më të gjatë mediatike në atë që ka bërë. Edhe nëpër rajon njihen raste të tilla, por ato nuk u kanë qëndruar gjithashtu gjatë ‘stuhive’. Megjithëse Ekrem Jervric e ka zërin identik (vetëm se është mashkull) si të Linda Morinës ai është përkujdesur pakëz më shumë për tekste. Hiti i tij “Nga puna në shtëpi”( Kuća pos’o), megjithëse këndohet tmerrshëm nga Jevric, ka depërtuar në media prestigjioze botërore, nëse s’e besoni, hiç më pak se në BBC.

BBC i ka kushtuar një artikull të gjatë Ekrem Jevricit nga Mali i Zi, i cili si një ‘senzacion i You Tubes’ ashtu si Linda, megjithatë ka ‘thurur ca vargje domethënëse në këngën e tij’ të kotë: Punë – shtëpi, shtëpi –punë. (Aty ai përshkruan jetën e rëndë të emigrantëve në Amerikë dhe se si ata nuk arrijnë t’i përshtaten fare dinamikës nju jorkeze).

Pra krejt cka na duhej të futeshim në BBC me diçka të ‘lezetshme’ para se ta përqeshnim, është që për Lindën dikush të përkujdesej t’ia shkruante tekstet. Tek e fundit, ç’vlerë kanë më shumë se Linda ata që pandehin se bëjnë dicka më të madhe: ç’vlerë ka Bon bon përveç se është një ‘senzacion i YouTubes”?

Pra, në kastën show biznesore të yjeve, Linda ka qenë më e keqja ndër më të këqinjët.

 

 

 

 

Shpërndaje në: