Kryeziu: Shpresojmë të sigurojmë tre pikët ndaj Qipros

Kryeziu: Shpresojmë të sigurojmë tre pikët ndaj Qipros

Kombëtarja e Kosovës do të përballet nesër me Qipron, në ndeshjen e fundit në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

Ndeshja e nesërme ka rëndësi të madhe për të dy ekipet kombëtare.

Kosova synon fitoren për të ruajtur pozitën e dytë në grup, në të cilën momentalisht renditet me 6 pikë – vetëm një më shumë se Irlanda e Veriut dhe Qipro.

“Dardanëve” i mjafton edhe barazimi për të mbetur në Ligën C edhe për sezonin e ardhshëm, por nuk duhet që asgjë t’i lihet rastit.

Në konferencën për media të mbajtur sot, u paraqit mbrojtësi i Kombëtares, Mirlind Kryeziu, i cili ndeshjen e nesërme e vlerësoi si shumë të rëndësishme, por tha se beson se do t’i fitojnë pikët e plota.

“Nesër kemi ndeshjen ndaj Qipros, shumë e rëndësishme për të mbajtur vendin e dytë. Shpresojmë të sigurojmë tre pikët. Jemi pak të zhgënjyer, pasi duke parë lojën nuk duhej të humbitnim. Këto ditë i kemi kaluar shumë mirë, besoj se do marrim tre pikët në shtëpi”, tha 25-vjeçari.

Ai tutje tha se Kosova luajti mirë për 80 minuta ndaj Irlandës së Veriut, por që tani janë analizuar gabimet e bëra në atë ndeshje, në të cilën Kosova pësoi humbje me rezultatin 2:1.

“Mbrojtja dhe gjithë ekipi bëri një lojë shumë të mirë për 80 minuta. Analizuam gabimet në lidhje me golat e pësuar. Kemi analizuar edhe lojën e Qipros dhe jemi përgatitur shumë mirë. Nuk është një grup i dobët, por ekipi jonë e ka kualitetin për të qenë në vendet e para në këtë grup, të parin ose të dytin“, deklaroi Kryeziu.

Ndeshja mes Kosovës dhe Qipros do të zhvillohet nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express/

 

Shpërndaje në: