Kryeziu, Berisha, Zeneli, Zhegrova, Kololli, Voca e Idrizi – Kosova me shumë mungesa e ndryshime në ndeshjet e tetorit
Kombëtarja e Kosovës në futboll do të kthehet për të vazhduar aventurën e kualifikueseve për Katarin 2022, në muajin tetor.
Dardanët do të kenë dy ndeshje; një më 9 tetor ndaj Suedisë dhe një tjetër më 12 tetor kundër kombëtares së Gjeorgjisë, shkruan Periskopi.
Selektori Bernard Challandes sot ka publikuar listën me lojtarët e ftuar për këto ndeshje, ku vëmendje merr emri i Toni Domgjoni si ardhje e re. Por, aty vihen re edhe disa mungesa.
Kosova publikon listën për ndeshjet e tetorit – ftohet mesfushori i Zvicrës
Një lojtar si Arbër Zeneli, i cili për fat të keq mungon tash e një kohë të gjatë, është mungesa më e madhe që mund ta ketë Kosova – ndonëse mungesa e tij tashmë është bërë ‘normale’. Përveç anësorit kosovar, edhe shoku i tij i skuadrës te Reims, Valon Berisha, i mungon kombëtares Dardane.
Selektori Bernard Challandes nuk do të mund të llogarisë as në lojtarin e Schalke 04, Blendi Idrizi, i cili në miqësoret e fundit që luajti Kosova ishte zbulimi më i mirë.
Në repartin ofensiv, edhe Edon Zhegrova – i cili vetëm dje u kthye te Basel pas një mungese të gjatë si pasojë e lëndimit – mungon në këtë grumbullim të Kosovës, pasi siç duket është vlerësuar se koha është e shkurtër për të që të kap ritmin e nevojshëm për të qenë me kombëtaren, shkruan Periskopi.
Hekuran Kryeziu po ashtu është një nga emrat ‘klasik’ të listës, e që në këtë grumbullim do të mungojë. Mesfushori ka qenë pjesë bosht e kombëtares, por ndeshjet e fundit nuk e kanë gjetur në përgatitjen më të mirë fizike.
Një tjetër ndryshim në listë shihet edhe në mungesën e Benjamin Kolollit e Idriz Vocës, i cili dikur është ftuar rregullisht, por rrethanat e fundit kanë bërë që të mos jetë me kombëtaren.
Bernard Challandes gjithsesi duhet të kalkulojë vetëm me lojtarët që aktualisht ka në dispozicion. Kosova synon rezultatet më të mira në dy ndeshjet e tetorit, ndaj Suedisë e Gjeorgjisë. /Periskopi/