Kryeziu: Asllan Sllamniku, njeriu më i besueshëm i Serbisë
Ish i burgosuri politik, Kadri Kryeziu njëherësh ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në emisionin “Debat Plus” ka treguar se pjesëtari i UDB-së, Asllan Sllamniku ka qenë njeriu më i besueshëm i Serbisë.
Kryeziu, i arrestuar nën dyshimin si organizator i demonstratave të studentëve të vitit 1981 ka thënë se Sllamniku ishte i deleguar nga Federata Jugosllave.
“Asllan Sllamniku, ka qenë i deleguar nga Federata Jugosllave, njeri më i besueshëm i Serbisë. Ka pasë disa që nuk kanë qenë shumë të besueshëm, ju vike gjynah, gardianët kanë pasë ndjesi tjetër, kanë qenë më të kujdesshëm ndaj nesh”, ka deklaruar Kryeziu.
Teksa nuk i ka arsyetuar torturat dhe malltretimin që u kanë bërë udbashët në atë kohë, Kryeziu ka thënë se ndonëse rrahja ka qenë individuale metoda ka qenë e njëjtë nga të gjithë.
“Ne kemi atë ndjenjën e mirësisë, prej moshës 19-vjeçare, kemi ndjenjën e faljes, se ata nuk kanë qenë të vetëdijshëm çfarë kanë bërë. Kosova është e vogël, interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, se liria u ka konvenu edhe atyre por kanë qenë të frymëzuar në atë drejtim, veprime që nuk i kanë pas të përcaktume me ligj, ata e kanë shfrytëzuar se kanë qenë të frymëzuar të tillë, rrahja ka qenë individuale, metoda ka qenë e njëjtë”, ka vijuar Kryeziu.