Kryetari i Sindikatës së Trepçës del me një reagim: Po kërkohet shkarkimi im
Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Januzi, ka reaguar pasi që siç thotë ai ka informata se duan ta shkarkojnë nga pozita të cilën mban aktualisht. E gjithë kjo sipas tij po bëhet me arsyetimin se reagimet dhe kërkesat e tij.
Januzi ka dhe një porosi për menaxhimin e ndërmarrjes, nga i cili kërkon që t’i ndal përpjekjet për luftimin e sindikatës dhe nënshtrimin e minatorëve përmes frikësimit dhe nënçmimit të tyre.
“Me agjendën e vetme për shkarkimin tim nga pozita e kryetarit të sindikatës, gjoja si parakusht për hapjen e rrugës për investime nga qeveria, pasi sipas tyre unë jam pengesë për proceset zhvillimore dhe investimet në ndërmarrje. Arsyeja e vetme që japin është se reagimet dhe kërkesat e mia po ngjallin pakënaqësi tek qeveria!. Si kryetar i sindikatës, kam obligim dhe detyrë të reagoj ndaj vendimeve të kundërligjshme dhe diskriminuese që ndërmerr çdo menaxhment i ndërmarrjes, pa përjashtuar edhe menaxhmentin aktual. Por shtrohet pyetja: përse është kërkuar nga anëtarët e sindikatës largimi im nga pozita e kryetarit dhe zëvendësimi im me një kryetar tjetër? Përgjigjja është e thjeshtë: kam ngritur zërin dhe kam reaguar vazhdimisht për shkeljen e të drejtave të minatorëve, kushtet jashtëzakonisht të dobëta të punës, mospagesën dhe vonesat e vazhdueshme të pagave, si dhe përndjekjen e atyre që mendojnë ndryshe nga menaxhmenti. Ky reagim vjen si përpjekje për të mbrojtur dinjitetin e minatorëve dhe për të siguruar kushte më të drejta dhe të qëndrueshme pune për ta”, thuhet në reagimin e Januzit.
Reagimi i plotë i Januzit:
Të nderuar minatorë,
Fillimisht dua të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen për besimin që më keni dhënë, duke më besuar të përfaqësoj zërin tuaj. Për mua personalisht, pozita e kryetarit të sindikatës është dhe do të mbetet përherë privilegji më i madh i jetës sime dhe ndjesia e përgjegjësisë që mbaj mbi supe çdo ditë.
Ju premtoj se përgjegjësinë që më keni dhënë si kryetar jam munduar ta nderoj duke punuar pa reshtur për mbrojtjen e minatorëve dhe promovimin e të drejtave të tyre, si vlerë që kontribuon edhe në zhvillimin e ndërmarrjes.
Megjithatë, angazhimi sindikal në mbrojtjen e të drejtave për minatorët është sfidë dhe kosto shtesë për të gjithë ata zëra që kanë guximin të thonë të vërtetën dhe të kërkojnë kushte më të mira pune.
Sot, nga burime të sigurta, jam njoftuar se menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça Sh.A., ditën e shtunë, në orët e vona ka zhvilluar takim në restorantin Castell në Milloshevë, me agjendën e vetme për shkarkimin tim nga pozita e kryetarit të sindikatës, gjoja si parakusht për hapjen e rrugës për investime nga qeveria, pasi sipas tyre unë jam pengesë për proceset zhvillimore dhe investimet në ndërmarrje. Arsyeja e vetme që japin është se reagimet dhe kërkesat e mia po ngjallin pakënaqësi tek qeveria!
Si kryetar i sindikatës, kam obligim dhe detyrë të reagoj ndaj vendimeve të kundërligjshme dhe diskriminuese që ndërmerr çdo menaxhment i ndërmarrjes, pa përjashtuar edhe menaxhmentin aktual. Por shtrohet pyetja: përse është kërkuar nga anëtarët e sindikatës largimi im nga pozita e kryetarit dhe zëvendësimi im me një kryetar tjetër?
Përgjigjja është e thjeshtë: kam ngritur zërin dhe kam reaguar vazhdimisht për shkeljen e të drejtave të minatorëve, kushtet jashtëzakonisht të dobëta të punës, mospagesën dhe vonesat e vazhdueshme të pagave, si dhe përndjekjen e atyre që mendojnë ndryshe nga menaxhmenti. Ky reagim vjen si përpjekje për të mbrojtur dinjitetin e minatorëve dhe për të siguruar kushte më të drejta dhe të qëndrueshme pune për ta.
Menaxhmenti më mirë do të ishte të merrej me furnizimet me mjete të eksplozivëve, pasi tash e tetë ditë, kemi ndërprerjen e procesit të prodhimit si rezultat i mosfurnizimit me kohë me eksploziv, duke i shkaktuar ndërmarrjes humbje financiare në vlerë prej qindra mijëra euro, pastaj po i shkakton edhe vonesat në realizimin e pagave.
Suspendimin e minatorëve dy herë radhazi për çështjen e njëjtë.
Reagimi im është e drejta dhe detyra ime ligjore, profesionale dhe morale. Për këtë arsye më keni zgjedhur dhe më keni besuar. Por a është e drejtë e menaxhmentit përndjekja e sindikalistëve dhe tendenca për shuarjen e sindikalizmit? Dhe kush e mban këtë përgjegjësi ligjore dhe penale?
Koha do të jetë dëshmitare se e gjithë kjo përpjekje dhe luftë speciale ndaj minatorëve do të përfundojë me turpërim pikërisht për ata që ushqejnë veten dhe grupacionet e tyre me agjenda të tilla.
Në cilësin e kryetarit të sindikatës e porosisë menaxhmentin e ndërmarrjes që ti ndal përpjekjet për luftimin e sindikatës tonë dhe nështrimin e minatorëve përmes friksimit dhe nëncmimit të tyre, e në vend të saj ti kryej detyrat për cka është zgjedhur, duke filluar nga furnizimi i ndermarrjes me eksploziv pa te cilin kemi mbetur që disa ditë, e si rezultat ndërmarrja është duke pësuar dëm të lart financiar.
Në fund, dua të shtoj se, pavarësisht përndjekjes së vazhdueshme që më bëhet dhe kostos që në mënyrë kundërligjore do të faturoni në llogarinë time, për aq kohë sa do të jem kryetar i sindikatës, do të jem zëri i së vërtetës dhe mburojë e ligjshmërisë dhe të drejtave të minatorëve.
Po ashtu, ta dini edhe ju, ashtu siç ka shkruar e kaluara jonë: Minatorët, që nga dita kur kanë lerë, as s’janë shitur e as s’janë blerë.
Me respekt, Kryetari i Sindikatës
Ibrahim Januzi