Kryetari i LDK-së në Gjermani në një vijë me Hotin, kërkon zgjedhje brenda partisë: Të bëhet një proces fer, jo shkel e shko – tallava

Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka nxitur që brenda LDK-së të shpërthejnë pakënaqësitë ndaj kryetarit të partisë Lumir Abdixhiku. Ishte deputeti, Avdullah Hotit i cili doli haptas duke kritikuar Abdixhikun, e pastaj vërshuan reagimet nga deputetët e tjerë të partisë, shkruan Periskopi.
Për këtë situatë të krijuar dhe ndarjen e partisë në dy kampe, ka folur edhe kryetari degës së LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi.
Ferizi në një prononcim për Periskopin konfirmoi se brenda LDK-së ka edhe emra të tjerë të cilët kanë qëndrime të njëjta me Avdullah Hotin.
Tutje, Ferizi ka paralajmëruar për zgjedhje të reja brenda LDK-së, duke theksuar se anëtarësia ka disponim për këtë hapë.
“Realisht ende nuk ka shumë zëra brenda strukturave të larta të LDK që kanë shpreh atë paknaqësinë publike, përveç ish-kryeministrit Hoti, por realisht ato janë reale. Rritja e LDK’së nga 11% në 18% nuk e vlerësojmë si sukses, sidomos ne në mërgatë. Unë mendoj që do të ketë një reflektim brenda strukturave dhe disponimi i anëtarësisë është që të shkohet në një proces tjetër zgjedhor, një proces transparent, një porces ku LDK të kthehet në bazë dhe të bëhet një proces fer, një proces me votë të fshehur, e jo siç ka shku shkel e shko – tallava, dhe kjo e ka deformu procesin realisht, kanë mbetur jashtë shumë figura që janë të nderume të LDK’së”, tha Ferizi për Periskopin.
“Ka emra tjerë, presin zhvillime tjera sepse Kosova është një bllokim institucional, partia e parë po shihet që don zhagitje. Unë mendoj që është në interesin e LDK-së, nuk është askush ka e fajëson kryetarin edhe pse e ka personalizu fushatën zgjedhore, sikur të jetë një proces zgjedhor presidencial që nuk ka qenë në traditën e LDK, mirëpo nuk ka asgjë personale sepse ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme në terren”, shtoi Ferizi.
Sipas tij, në qoftë se një proces i ri zgjedhor në LDK bllokohet, atëherë për Ferizin “është një puq brenda partisë”.
“Në qoftë se tentohet të bllokohet mosshkuarja në zgjedhje unë mendoj që është një puq brenda LDK, është një stagnim i demokracisë edhe në të ardhmen me këtë qasje nuk ka mundësi LDK të avancojë e të dalë si subjekt i parë politik që për fatin e keq që nga vdekja e presidentit Rugova nuk ka arrit të dalë si parti e parë sepse fraksionet, rivalitetet dhe grupet e interesit e kanë sjell deri këtu, e kanë stërkeq deri në këtë shkallë”, tha ai për Periskopin.
Ndërsa i pyetur për votat me postë për të cilat Vetëvendosje dërgoi ankesa në PZAP, kryetari i degës së LDK në Gjermani tha se ka dyshime për votat nga ambasadat dhe konsullatat prej të cilave VV mori përqindje të madhe.
“Këtu duhet një analizë për çështje të votave në ambasada dhe votave me postë, se këtu shumë pak po përmenden votat në ambasada kur mbi 80% i ka marrë Vetëvendosje. Dyshimi më i madh është te votat që janë përcjellë përmes ambasadave dhe konsulatave, këtu është dyshimi më i thellë, sepse mënyra e transportimit dhe menaxhimit të tyre deri në KQZ është shumë e dyshimtë. Normal që ka pas interferime, jo vetëm prej VV-së që kanë ndiku tek bashkatdhetarët që duke përdorur aparatin shtetëror që nga ambasadat dhe transporti i bashkatdhetarëve që është bë gratis, normal që ka pas interferim në vota.
Mirëpo të gjitha subjektet e tjera njëfarë mënyre e kanë bërë bartjen e votës tek individë të caktuar, kjo është një fakt, tjetër është që nuk e pranojnë asnjëra”, tha Ferizi.
Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), sot ka njoftuar se e refuzoi si të pabazuar ankesën e LVV-së të paraqitur kundër KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet, ku pati kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë për LDK-në dhe kandidatët e saj, gjithsej 18,933 vota dhe që këto të largoheshin nga rezultatet përfundimtare./Periskopi