Kryetari i KQZ-së: Do të jetë sfidues zbatimi i ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme
Me qëllim të avancimit të shërbimeve për votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, sot është zhvilluar softueri i KQZ-së me mbështetjen e misionit të OSBE-së. Ky softuer është prezantuar në hapësirat e sallës “1 Tetori”, ndërkohë që është simuluar procesi i votimit.
Kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi theksoi se me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi zgjedhor ka pësuar ndryshime thelbësore. Sipas tij, zbatimi do të jetë sfidues në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se janë bërë pjesë aktive e procesit të reformës zgjedhore të udhëhequr nga Kuvendi i Kosovës.
“Menjëherë pas miratimit të ligjit të ri, KQZ është angazhuar maksimalisht për përgatitjen dhe harmonizimin e 17 akteve nënligjore apo Rregulloreve Zgjedhore. Disa nga këto, që ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit, kanë për qëllim krijimin e lehtësirave në procedura të ndryshme zgjedhore, për votuesit brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe, KQZ ka ndërmarrë hapa konkretë që besojmë se do të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor në vazhdim dhe rrjedhimisht edhe në besueshmërinë e qytetarëve dhe të akterëve të tjerë. Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi zgjedhor si brenda, por edhe jashtë vendit, ka pësuar ndryshime thelbësore dhe sigurisht se zbatimi i tij do të jetë sfidues në zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025, por shpreh gatishmërinë e KQZ-së për të përmbushur detyrat që dalin para nesh”, tha ai.
Radoniqi shtoi se KQZ është e përkushtuar në avancimin e procesit zgjedhor dhe se po bën hapa në digjitalizimin e operacioneve zgjedhore.
“Softueri i KQZ-së, i cili është zhvilluar me mbështetjen e misionit të OSBE-së në Kosovë, ka për qëllim të avancojë shërbimet e institucionit për votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve. Andaj, në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shpreh mirënjohjen për OSBE-në dhe ambasadorin Davenport, në ndihmën e dhënë në këtë drejtim, që padyshim se do të avancojë edhe më shumë procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës, si themel për fuqizimin e demokracisë përmes zgjedhjeve”, shtoi ai.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport tha se zbatimi i këtij softueri është hap i rëndësishëm për përmirësimin e efikasitetit.
“Kjo paraqet një hap të rëndësishëm përpara sa i përket përmirësimit të efikasitetit, transparencës dhe për integritetin të procesit zgjedhor. Dhe natyrisht koha kur po bëhet kjo është shumë e rëndësishme se sapo janë shpallur zgjedhjet e radhës. Ne të gjithë e dimë se zgjedhjet e lira dhe të drejta janë bazë e demokracisë. Duke e pajisur KQZ-në me këtë softuer bashkëkohor, jo vetëm që po mbështesim modernizimin e infrastrukturës zgjedhore, por në të njëjtën kohë jemi duke i ofruar edhe votuesve një arsye shtesë për të pasur besimin në procesin zgjedhor”, deklaroi Davenport.
Me zbatimin e këtij softueri, Davenport shtoi se do të bëhet e mundur menaxhimi i zgjedhjeve të jetë më i lehtë dhe se do të sigurohen rezultate në kohë të duhura.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025.