Kryeministrja e Bangladeshit ik prej shtetit mes protestave vdekjeprurëse, ushtria merr pushtetin
Udhëheqësia 15-vjeçare e kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina, ka marrë fund të hënën, pasi ajo u ka ikur protestave vdekjeprurëse që po zhvillohen që disa ditë nëpër rrugët e këtij shteti.
Ushtria ka thënë se ka marrë pushtetin dhe do të formojë një Qeveri të përkohshme.
Hasina ka tentuar prej fillimit të korrikut që t’i shtypë protestat kombëtare kundër Qeverisë së saj, mirëpo në fund është detyruar të largohet, pasi të paktën 100 persona janë vrarë vetëm të dielën në protesta.
Shefi i ushtrisë së Bangladeshit, Waker-Uz-Zaman, ka thënë për transmetuesin shtetëror të hënën se, Hasina ka dhënë dorëheqje dhe ushtria do të formojë Qeverinë e përkohshme.
“Shteti ka vuajtur shumë, ekonomia është goditur, shumë njerëz janë vrarë – është koha t’i japim fund dhunës”, ka thënë Waker, i veshur me uniformën ushtarake.
“Shpresoj që situata do të përmirësohet pas fjalimit tim”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se do të bisedojë me presidentin e Bangladeshit për të formuar Qeverinë në këtë shtet të Azisë Jugore me 170 milionë banorë.
Nuk është bërë e ditur nëse ai do të jetë në krye të Qeverisë.
Zaman ka thënë se do të bisedojë me partitë kryesore opozitare dhe anëtarë të shoqërisë civile, por jo me partinë e Hasinas.
Hasina, 76-vjeçare, ka ikur prej Bangladeshit me helikopter, ka thënë një burim i agjencisë së lajmeve AFP, pasi protestuesit kanë hyrë në pallatin e saj në Daka.
Protestat kanë nisur fillimisht pas rikthimit të skemës së kuotave për punësime në pozita publike, mirëpo më vonë janë zgjeruar kundër Qeverisë./REL